Pas akuzave për shkelje të Kushtetutës me dekretin për ministren virtuale Diella dhe caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë pa respektuar ankimimin e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, demokratët kanë shtuar listën e shkeljeve që pretendojnë se ka kryer Presidenti Bajram Begaj dhe kanë bërë gati kërkesën për shkarkimin e tij.
Në një deklaratë për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, pohoi se Begaj në shkelje të Kushtetutës është punësuar në një klinikë private duke përfituar edhe pagesat përkatëse.
“Sipas Kushtetutës Presidentit të Republikës i ndalohet të kryejë çdo veprimtari shtetërore dhe private. Por a e dini ju të dashur qytetarë që presidenti jonë ndërkohë që është president, rezulton se merr të ardhura nga një klinikë private mjekësore. Ditën bën Presidentin e Republikës dhe pasdite merr të ardhura nga rrjeti Acibadem, siç e deklaron edhe vetë”.
Demokratët duket se i referohen deklaratës së pasurisë të vitit 2023 të dorësuar në ILDKPKI nga Begaj, ku krahas pagës si president, pohon se ka përfituar edhe një pagë tjetër nga një klinikë private.
Por për socialistët akuzat e Gazment Bardhit janë thashetheme. Taulant Balla në një deklaratë për mediat u përpoq të zhvlerësonte kundërshtarin duke u marrë me një frazë të deklaratës së homologut të tij opozitar.
“Unë nuk merrem me thashetheme. Një gjë di të them që pash në një nga mediat tuaja. Bardhi: Begaj i paburrë. Duhet të kemi edhe një etikë”.
Sipas demokratëve kjo është vetëm një nga shkeljet që ka kryer Presidenti, pasi Bardhi publikoi edhe dokumente që sipas tij vërtetonin se Presidenti ishte në konflikt interesi, pasi djali i Begajt rezulton i punësuar në një kompani që merr tendera nga Presidenca. “Presidenti nuk ka kryer as një shkelje dhe nuk do të shkarkohet”, tha Taulant Balla.
Pavarësisht procedurave parlamentare për shkarkimin e Begajt, përfundimi duket i qartë pas mbrojtjes publike të mazhorancës socialiste dhe kreu i Shtetit nuk ka gjasa që të shkarkohet. (A2 Televizion)