Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Begaj, përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, ku ka shkruar se diskutimi u përqëndrua në rolin aktiv të Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, si dhe në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Po ashtu Begaj ka shkruar se i shprehu mirënjohje Sekretarit të Përgjithshëm Guterres për udhëheqjen e tij gjatë këtyre kohërave sfiduese për Organizatën dhe për multilateralizmin, shkruan A2 CNN.
“Ishte kënaqësi të takohesha përsëri me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, @antonieguterres, në margjinat e Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Diskutimi ynë miqësor u përqendrua në rolin aktiv të Shqipërisë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, në avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. I shpreha mirënjohje Sekretarit të Përgjithshëm Guterres për udhëheqjen e tij gjatë këtyre kohërave sfiduese për Organizatën dhe për multilateralizmin”, ka shkruar Begaj në rrjetin social ‘X’. (A2 Televizion)