Një pyetje e New York Times, mbi qëllimet e vizitës në Tiranë të kryebashkiakut të New York-ut, Eric Adams, nxiti daljen publike të tij dhe mikut shqiptar që e priti në Shqipëri. Me anë të një deklarate për shtyp nga selia e Qeverisë, që i mohoi të drejtën e pyetjeve gazetarëve, Eric Adams tha se ndodhej në Tiranë për të përshëndetur mikun e tij Edi Rama si dhe për të forcuar këtë marrëdhënie.
“Ka pasur shumë spekulime sepse jam këtu dhe çfarë po bëj këtu. Arsyeja është e thjeshtë, për të përshëndetur një mik, për të mësuar nga një mik dhe për të ndërtuar një marrëdhënie me një miqësi që nuk do ta na lejojë që ne do të kemi ndasi”, tha Adams.
Ndërsa shefi i qeverisë shqiptare nuk harroi të përmendte, në shpjegimet e veta, atraksionin e tij mediatik, Diellën.
“Duke qenë se kryetari i bashkisë ka qenë kyç në vendosjen e disa linjave direkte të New York-ut me vende të tjera, për të parë mundësinë e nxitjes, e një nxitjeje ekstra në përpjekjen që ne po bëjmë për vendosur fluturimin direkt me New York-un dhe duke qenë ai shumë i interesuar për teknologjinë, ka shumë dëshirë që të takohet edhe me Diellën”, tha Rama.
Biznesi, kultura dhe teknologjia janë tre arsye të cilat Eric Adams i sheh si arsye për të patur një bashkëpunim, si në vetë të parë ashtu edhe me bashkinë e New York.
“Doja të vija këtu dhe të mësoja më shumë për teknologjinë, për mënyrën se si ky kryeministër ka qenë në gjendje të kujdeset për revolucionin e këtij vendi e të këtij qyteti. Erdha këtu të flas për turizmin dhe për të parë se si mund të ndihmojmë e të shfrytëzojmë jo vetëm muajt që kanë mbetur në detyrë, por edhe muajt më pas detyrës, për të siguruar një linjë të dhurimit të drejtpërdrejtë nga New York City në Shqipëri”, tha Adams.
Aludimeve të “New York Times” që shpenzimet e vizitës në Shqipëri të kryetarit të bashkisë në largim janë mbuluar nga qeveria shqiptare, u hodhen poshtë me një “JO” të Edi Ramës pas mbylljes së deklaratës për media, në ikje e sipër teksa mikrofonët ishin fikur. (A2 Televizion)