Gjyqtari Astrit Kalaja, për Sali Berishën, u vra nga shteti. Teksa lexoi disa vendime të Këshillit të Ministrave, Berisha pohoi se tashmë gjyqtarët janë pa mbrojtje, pasi forcat e rendit janë nxjerr jashtë gjykatave me vendim të Këshillit të Ministrave.
“Unë dua të informoj shqiptarët se me një vendim të datës 8.7.2020, Edi Rama ka anuluar vendimin e mëparshëm të qeverisë të datës 28.4.2010, i cili ngarkonte Policinë e Shtetit përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë e gjykatave. Edi Rama e kalon këtë siguri nga Policia e Shtetit tek Policia e Xhepit”.
Vrasjen e gjyqtarit e shikon të lidhur me një plagë të madhe siç e cilëson ai vetëgjyqësinë, për të cilën thotë se nxitet nga problemet e shumta të sistemit të drejtësisë. Sipas Berishës shifrat janë alarmante dhe shton se qytetarët kanë humbur të drejtën e një procesi ligjor të drejtë.
“Me asgjë vetëgjyqësia nuk justifikohet. Por doni ta dini? Ky është rasti flagrant, por u them unë ju në vetëgjyqësi për shkak të këtij sistemi janë qindra të vrarë në Shqipëri gjatë 4-5 viteve të fundit. Janë qindra të plagosur. Nuk ka gjyqe. Shqiptarët, e kemi thënë 100 herë, 200 herë, janë të vetmit në Europë që kanë humbur të drejtën e procesit ligjor të drejtë”.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, lideri demokrat i dha një përgjigje edhe mazhorancës e cila ka ndërmarrë nismën për ngritjen e dy komisioneve të posaçme për reformën zgjedhore dhe atë territoriale.
“Pretendojnë për dy komisione. Asnjë komision pa Kongresin e Autoriteteve Rajonale dhe Lokale për reformën territoriale dhe pa ODIHR-in nuk marrim pjesë. Të vijnë institucionet ndërkombëtare”.
Një paralajmërim kishte për Presidentin Begaj, të cilin e quan vasal të Ramës dhe premton se shumë shpejt do të nisin procedurat për shkarkimin e tij. (A2 Televizion)