Prioritetet “Rama 4”: Lirim të hapësirave publike, asnjë lek për pallatin e Bashës

Nga Ervin Koçi
21 Korrik 2025, 15:06 | Politikë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se lirimi i hapësirave publike do të jetë një proces 4-vjeçar e jo një aksion vere. Sipas kreut të qeverisë, do të jenë istancat shtetërore në bashkëpunim me zyrat arkitekturore që do të përcaktojnë modalitetet se si do të shfrytëzohen këto hapësira në të ardhmen duke nënvizuar se në çdo rast, 75% e tyre do të jenë për qytetarët.

Lirimi i hapësirave publike nuk do të jetë një aksion që përfundon me verën, por do të zgjasë sa vetë mandati i katërt i Edi Ramës. Shefi i qeverisë nisi javën me një komunikim “Sy m’sy” me qytetarët në rrjetet sociale, ku çështja e hapësirave publike i mori edhe vëmendjen më të madhe. Ndonëse prej 12 vitesh në krye të ekzekutivit, thotë se një pjesë të ndërtimeve pa leje në kryeqytet nisi t’i vinte re falë kandidimit si deputet në qarkun e Tiranës. 

“Nuk është një aksion, nuk është një show, nuk është një gjë për pak ditë. Është fillimi i një pune 4-vjeçare për rilindjen urbane 2.0 që do të ketë edhe element të tjerë që kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës, kufizimin e ndërtimeve e një sërë gjërash”, tha Rama, shkruan A2.

Çështja e ndërtimeve pa leje në Theth përplasi kreun e qeverisë me prokuroren e Shkodrës, por për një tjetër organ akuze, dha lavdet për hetimin ndaj Bankers Petrolium. Sipas Ramës, kontratat koncesionare të trashëguara janë problematike për shtetin, ndërsa koncesionet e dhëna nga ai, përfshirë atë të inceneratorëve, janë histori suksesi: “Pavarësisht se në ndonjë rast ka pasur edhe ndonjë gjë që s’ka shkuar, por koncesionet apo PPP kanë bërë të mundur Rrugën e Arbërit, pa asnjë kosto, kanë bërë të mundur pastrimin e qyteteve tona pa asnjë kosto, e përsëris pa asnjë kosto”.

Ky lloj komunikimi i Edi Ramës u bë viral gjatë fushatës elektorale, sidomos kur shkëmbente batuta në distancë me Lulzim Bashën, të cilin edhe ketë herë nuk e la pa përmendur. Shkak nuk ishte rezultati i zgjedhjeve, por rezultati i një procesi gjyqësor që qeveria e Ramës ka humbur me familjarët e Bashës në Gjykatën e Strasburgut, për një pallat të shembur në Vlorë në 2013: “Duhet ta dish ti dhe të gjithë që nuk kemi dhënë asnjë dëmshpërblim për atë rast, as edhe një. Kur të vijë në pushtet Luli, le t’ia bëjë vetes ato para. por sa të jem unë këtu kjo nuk do të ndodhë pasi ka plot të tjerë përpara që meritojnë dëmshpërblim para Lulit. O Lul, ku je o artist se u bë shumë kohë që nuk të shoh”.

Pavarësisht qasjes së Ramës, në të vërtetë, moszbatimi i këtij vendimi të Gjykatës së Strasburgut vetëm ia shton të ardhurat Lulzim Bashës, pasi kundrejt shumës prej rreth 13 milionë euro, aplikohet kamat vonesa duke i kthyer “de facto” këto para në investim për Bashën dhe familjarët e tij.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos