Nisma Shqipëria Bëhet kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një dokument zyrtar ku të konfirmojë njohjen e dorëheqjeve të kandidatëve të listës së mbyllur për Tiranën. Në një letër drejtuar KQZ, partia e drejtuar nga Adriatik Lapaj thotë se për sa kohë komisioni nuk ka kthyer përgjigje kur janë dporëzuar letrat e dorëheqjeve, e ka miratuar këtë vendim, shkruan A2 CNN.
“Në Qarkun Tiranë, ky koalicion ka siguruar 16,520 vota, duke fituar një mandat përfaqësimi. Ju bëjmë me dije se të gjithë kandidatët e listës së mbyllur për këtë qark kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, më datë 11 maj 2025, përpara fillimit të procesit të numërimit të votave. Bazuar në Nenin 97, të Kodit të Procedurave Administrative, për sa kohë organi publik, në këtë rast Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nuk është shprehur me vendim konsiderohen të miratuara në heshtje. Në këtë kuadër, kërkojmë konfirmimin me shkrim se dorëheqjet e paraqitura janë konsideruar të miratuara në heshtje, në përputhje me ligjin në fuqi”, thotë Shqipëria Bëhet.
Nëse të gjithë kandidatët në listën e mbyllur dorëhiqen, mandati i takon Adriatik Lapajt, i cili ka marrë më shumë vota nga të gjithë në listën e hapur. Por çështja e mandatit është bërë “mollë sherri” mes Lapajt dhe Endri Shabanit, drejtuesit të Nismës Thurje. Ky i fundit thotë se Lapaj kishte dhënë garanci se do të dorëhiqej nëse siguronin vetëm një mandat, gjë që me sa duket nuk ka ndërmend ta bëjë.
Një kandidat nga lista e mbyllur, Zeqir Kordhoni, i ka kërkuar KQZ-së të mos njohë asnjë letër dorëheqje nga ana e tij. (A2 Televizion)