“Prisja që SPAK të vendoste drejtësinë e munguar", Soko: Zgjedhjet më të këqija pas 1996-ës. Krimi, paratë publike ishin sheshit

Nga A2 CNN
27 Maj 2025, 21:30 | Politikë

 

“Prisja që SPAK të vendoste drejtësinë e munguar, që kriminelët mos përfshiheshin në zgjedhje". Kështu u shpreh në studion e Debatit me Alba Alishani  në A2 CNN, kandidati për deputet i Nisma Shqipëria Bëhet në zgjedhjet e 11 majit, Pano Soko. Sipas tij nevoja për të vendosur drejtësi në zgjedhje është pararendëse jo pasrendëse, në mënyrë që administrata publike dhe institucionet shtetërore të mos përdoreshin dhe të mos presionoheshin.

“Ndryshe nga të gjitha rastet e tjera nevoja për të vendosur drejtësi në zgjedhje është pararendëse jo pasrendëse. Nevoja që kemi ne është për të pasur një lojë të ndershme. Dhe përgjegjësinë që duhet të mbajnë institucionet.  Prisja që SPAK në këto zgjedhje të vendoste drejtësinë e munguar atë që ka munguar në shumë zgjedhje pararendëse që kriminelët të mos përfshiheshin në zgjedhje. Doli që u përfshinë që administrata publike mos presionohej e mos presiononte. Që institucionet shtetërore të mos përdoreshin, që drejtoria e tatimeve mos përdorej për të presionuar bizneset në interesin elektoral”, tha Soko në A2 CNN.

Në A2 CNN, Soko theksoi se të gjithë asetet shtetërore u vunë në funksion të partisë në pushtet.

“SPAK-u si institucion që u angazhua me strategji në zgjedhje u pa nga ne me syrin e mirë për veprime që duhet të kryente para zgjedhjeve. Në momentin që u la fushë e lirë për krimin dhe presionimin e administratës përdorimin e institucioneve, përdorimin e parave publike për të fituar partia në pushtet dhe përdorimi i të gjithë aseteve shtetërore. Nëse SPAK vjen sot dhe thotë denonconi, ato e prodhuan efektin”.

Sipas tij zgjedhjet e 11 majit ishin më të këqijat pas 1996-ës, ku krimi dhe paratë publike ishin sheshit.

“Unë prisja të kishim garën më të mirë në këto vite. Gara e zgjedhjeve të 11 majit të 2025 është e dyta më e keqe pas zgjedhjeve të 1996-ës. Pritshmëria ishte që SPAK të më siguronte standarde më të mira. Prisja që krimi të ishte minimalist, por e bëri ashiqare fare nuk u fsheh fare. Prisja që administrata mos presiononte dhe mos presionohej”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos