Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm mëngjesin e sotëm në prezantimin e raportit të Bordit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.
Në takim u diskutuan të dhënat e mbledhura gjatë një cikli 4-vjeçar pune intensive për vlerësimin e universiteteve në Shqipëri, shkruan A2 CNN.
Rama gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e këtij procesi si pjesë e vizionit për një “Universitet 4.0”, duke nënvizuar se raporti përfaqëson një bilanc të vlefshëm për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë në vend.
Po ashtu, Rama shtoi se raporti nxjerr në pah progresin e bërë, por edhe sfidat e shumta që mbeten për t’u përballuar.
“E kërkuam këtë takim për një bilanc të punës intensive në një 4-vjeçar kohor, i cili meriton respekt dhe falënderim për angazhimin.
Ndërkohë që ne ecim përpara, bota fluturon. Dhe për të kapur ritmin, për t’i dhënë të rinjve tanë një ofertë akademike serioze e konkurruese, duhet të shtyjmë me shumë forcë përpara", tha mes të tjerash Rama, shkruan A2 CNN.
Rama shtoi se Shqipëria, në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ka nevojë për një rishikim të ligjit për arsimin e lartë, i cili sipas tij, duhet të reflektojë përvojën e akumuluar deri më tani, por edhe zhvillimet më të fundit në sistemet akademike moderne. (A2 Televizion)