Kryeministri Edi Rama, në rubrikën “Sy m’sy” në Facebook, thotë se duhet krijuar një “vijë e padukshme” që 70% e hapësirave të jenë për qytetarët dhe 30% për bizneset.
“Do të arrijmë të krijojmë një vijë të padukshme, por të pranuar nga të gjithë, ku 70% e trotuarit të jetë e lirë për njerëzit dhe 30% për karriget e shërbimin jashtë. Si të gjitha vendet mesdhetare është komplet e natyrshme që të shërbehet edhe jashtë. Por, nga ana tjetër, ajo që është e shëmtuar është që këto shërbime të kthehen në zaptime, presion dhe pamundësi për komunitetin për të pasur pjesën e vet normale të jetës”, tha Rama, shkruan A2.
Pyetjes së një përdoruesi se “kush ishte qeveria që e lejoi këtë zaptim”, kryeministri iu përgjigj: “Nuk është qeveria ajo që merret me karriget dhe tavolinat. Jemi në kushtet e një mobilizimi për t’u dhënë një përgjigje shterruese shqetësimit të qytetarëve të panumërt në qytete të mëdha, të vënë re gjatë fushatës, për asfiksimin e hapësirave publike si pasojë e karrigeve, çadrave dhe barrikadave. Nga ana tjetër, u morën taksat për to. Shpresoj të jenë marrë taksat për çdo metër katror zaptuar. Do të ishte gjysma e së keqes, që të paktën të ketë përfituar pushteti vendor të gjitha ato tarifa që burojnë nga çdo tavolinë”, u shpreh Rama.
(A2 Televizion)