“Rama është njeriu më në hall në Shqipëri dhe halli i tij është ekzistencial”. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN zyrtari demokrat Lisandër Hoxha, sipas të cilit protesta qytetarë që vijon prej më shumë se 90 ditësh në Bulevardin Dëshmorët e Kombit e ka dhënë efektin e vet parësor, duke ulur mbështetjen ndaj poltikës në Shqipëri.
“Unë personalisht e shikoj si njeriu më në hall sot në Shqipëri dhe halli i tij është hall ekzistencial. Po unë mendoj që protesta e dha efektin e vet parësor. Kush është efekti parësor? Po të shikosh ka raporte të institucioneve serioze që masin në mënyrë periodike pëlqyeshmërinë, pranueshmërinë, aprovimin publik të partive politike në Shqipëri. Dhe po të shikosh Institutin Republikan Amerikan që nuk i intereson as e majta as e djathta në Shqipëri, por ka rolin e vet mbi gjithë emrin e vet, në muajin maj ka publikuar një raport, një sondazh të vetin, një poll sa i takon ë besueshmërisë së qytetarëve të të gjitha partitë politike dhe në maj para protestës në fillim të majit dalin 60%. Të siguroj që pas protestës i gjithë parlamenti, gjithë mënyra se si bëhet politikë në Shqipëri dhe unë nuk e them me dashakeqësi këtë punë, por e them si një realitet, ju garantoj që janë më pak se 48%. E di çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që duhet një kambanë alarmi për të lexuar vullnetin e qytetarëve nga të gjithë ata që merren me politikë”.
Këtë argument Hoxha e bazon te një sondazh amerikan dhe thekson se përgjegjësia kryesore mbi kryeministrin, ndërsa shpreh bindjen se kjo protestë do të sjellë një model të ri politik.
“Përgjegjësia kryesore është e kryeministrit, por kërkesat e qytetarëve të artikuluara në formë thirrjesh, të artikuluara pa fjalë fare me mospjesëmarrje në zgjedhje e tjerë e tjerë, kanë kapur kulmin e tyre dhe do japin pa diskutim atë që i duhet vendit tonë sot, një model të ri të të bërit politik. Ne duhet të besojmë tek institucionet. Nuk kemi pse t'i besojmë besnikut besë madh me pasqyrë apo pa pasqyrë, se këto janë gallata”, tha Hoxha. (A2 Televizion)