
Ministrja e Ekonomisë dhe Mirëqenies Sociale, Delina Ibrahimaj, ka dalë në terren në zonën e “Zogut të Zi” për të parë nga afër dhe dokumentuar dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve gjatë protestës së studentëve.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Ibrahimaj u bëri thirrje bizneseve të dokumentojnë dëmet e pësuara, me qëllim që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë dhe të adresojnë pasojat e shkaktuara.
Ministrja Delina Ibrahimaj:
Kam ardhur tek ‘’Zogu i Zi’’ për të dokumentuar dhe për të parë nga afër dëmin që i është bërë bizneseve nga protestat. Nuk janë studentë ata që duan të shkatërrojnë qytetin.
Nuk janë studentë ata që duan që mundi dhe djersa i prindërve, të shokëve dhe shoqeve të tyre të dëmtohet dhe të shkatërrohet. Është e njëjta dorë që ka dashur që Shqipërinë ta lenë mbrapa].
Është e njëjta dorë që ka shkatërruar shumë herë vendet, por kësaj radhe ndryshe nga herët e tjera, me ndihma të huaja të cilat nuk duan që Shqipërinë ta fusin në Bashkimin Europian.
Nuk duan që Shqipëria të përparojë. Unë i bëj thirrje të gjithë bizneseve të dokumentojnë dëmin që i është bërë me qëllim që Ministria e Ekonomisë, por edhe organet e drejtësisë të bëjnë detyrën e tyre dhe të adresojnë të gjithë atë dëm që i është bërë bizneseve nga një dorë e pabesë e cila do ta shohë Shqipërinë të shkatërruar.
(A2 Televizion)