“Opozita nuk e ka braktisur asnjëherë procesin e integrimit, por parlamenti ka anashkaluar interesat kombëtare duke u shërbyer interesave shumë të vogla partiake dhe të biznesit”. Kështu u shpreh deputetja demokrate Jorida Tabaku në seancën e fundit parlamentare të kësaj legjislature, teksa diskutohej për raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit për vitin 2024.
“Në këtë legjislaturë kemi dështuar, për t’u ngritur mbi llogoret dhe interesat politike që kishte maxhoranca me çdo ligj ne debat në Komisione. Kemi dështuar për t’i dhënë shqiptarëve një proces gjithëpërfshirës, një proces i mbyllur në sirtarët e qeverisë, që nuk sjell asgjë për shqiptarët. Integrim vetëm në letra nuk i shërben askujt.”
Në fjalën e saj Tabaku akuzoi qeverinë si pengesën kryesore të integrimit të vendit në BE.
“I vetmi bllokim që i ka ardhur shqiptarëve ka ardhur nga qeveria për pamundësinë së pari për të organizuar procese demokratike me standarde evropiane dhe duke përfunduar te çështje normale të funksionimit të një shteti, te prokurimet publike, shkelje e marrëveshjes të stabilizim asoccimit me gara pa tendera dhe duke përfunduar te bujqësia që akoma se kemi letrën e presidencën daneze për hapjen e grup-kapitujeve se Shqipëria “shkëlqeu” me zbatimin e fondeve të IPARD dhe i vuri njollë për vjedhjen më të madhe të fondeve të BE jashtë BE”, tha Tabaku.
Sipas Tabakut Parlamenti ka humbur nocionin e kryerjes së një procesi legjislativ.
“26 institucione e mbyllin këtë legjislaturë pa raportuar si asnjëherë më parë. Raporti përmend paaftësinë e Kuvendit për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky kuvend po e përfundon legjislaturën edhe pa reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore. Në 12 vitet e fundit, veçanërisht vitin e fundit, nuk arriti do të merret me rishikimin e ndarjes së mandateve në qarqe. Votimi nga diaspora i plotë, ashtu siç i takon Shqipërisë që ka hapur negociatat ta kryente, e kreu me një njollë të madhe dhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Këto detyra dështoi t’i kryente. Çdo ditë e më shumë shohim se si institucionet e pavarura e humbin nocionin e tyre të pavarësisë, se si komisionet parlamentare janë të paaftë të kryejnë punën e tyre se janë kthyer në zgjatime të qeverisë. Për herë po mbyllet kjo legjislaturë pa asnjë rezolutë për integrimin, asnjëherë opozita s’ka ceduar për të kryer detyrat e saj, nuk ka krijuar pengesa, nuk është përmendur në raportet për pengim në këtë proces”.
(A2 Televizion)