Qeveria më jetëgjatë në Itali, Rama "sfidon" Melonin: Tani duhet të thyesh rekordin tim

Nga A2 CNN
4 Shtator 2026, 09:13 | Politikë

Qeveria më jetëgjatë në Itali, Rama "sfidon"

Kryeministri Edi Rama ka uruar homologen Giorgia Meloni, në një ditë historike për qeverinë italiane, e cila, pas 1,413 ditësh në detyrë, bëhet qeveria më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane.

Në videomesazhin e publikuar në “X” Rama sfidon ndër të tjera Melonin, që tashmë të thyejë rekordin e tij për jetëgjatësinë ne krye të ekzekutivit. 

MESAZHI I RAMËS 

Giorgia, po lexoj se nga sot je në krye të qeverisë më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Po me të vërtetë? Qenkam mësuar keq unë duke ndërruar bashkëbisedues në Romë pothuajse me ritmin e ndërrimit të trajnerëve të Milanit. E megjithatë, shiko sa gjë e çuditshme, demokracia italiane nuk duket aspak në rrezik, pavarësisht gjithçkaje që sidomos ne në të majtë kishim parashikuar kur ti mbërrite në Palazzo Chigi me pantallona të zeza. Më kujtohet madje se edhe Ursula në atë kohë u shqetësua jo pak. Sot ndërkohë edhe ajo do të jetë shumë e lumtur për këtë rekord tëndin. Sepse në vend që të marshoje mbi trupin e Evropës, siç trembeshin, e përqafove Evropën dhe madje e ndihmove të kuptojë më mirë disa gjëra: në çështjet e sigurisë, emigracionit ilegal natyrisht. Por gjithsesi duhet t'i thuash të gjitha: që kur je ti ka një deficit demokratik të madh në Itali: i nxore burrat jashtë luftës për pushtet, e cila tashmë është bërë një punë mes grash, ekskluzivisht mes grash. Çfarë të të them më shumë e dashur Giorgia, tani është një tjetër rekord për t'u thyer, imi! Dhe mjerë ata që më thonë se Italia nuk është në Ballkan, eh, sepse jemi gjithmonë prapa Gjermanisë ku një tjetër zonjë e shkëlqyer ka qeverisur edhe më gjatë se unë. Rroftë Italia, rrofshin gratë italiane dhe shqiptare.

A2 CNN Livestream

Latest Videos