Qeveria merr vendimin mbi të ardhurat e Agjencisë së Kontrollit të Cannabis-it

Nga A2 CNN
16 Tetor 2024, 20:00 | Politikë

Qeveria merr vendimin mbi të ardhurat e Agjencisë së Kontrollit

Këshilli i Ministrave ka marrë sot vendimin mbi mënyrën e përdorimit të të ardhurave të Agjencisë Kombëtare të kontrollit të kanabisit. Në vendimin e publikuar sot thuhet se “të ardhurat nga tarifa e lëshimit të licencës për subjektet aplikante derdhen 100% në buxhetin e shtetit, ndërsa të ardhurat nga tarifa vjetore mbi veprimtarinë e subjekteve të licencuara derdhen 70% në buxhetin e shtetit dhe 30% përdoren nga Agjencia”. Vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

V E N D I M

PËR PROCEDURËN DHE MËNYRËN E PËRDORIMIT TË TË ARDHURAVE TË AGJENCISË KOMBËTARE TË KONTROLLIT TË CANNABIS-IT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Të ardhurat nga tarifa e lëshimit të licencës për subjektet aplikante derdhen 100% në buxhetin e shtetit.

2. Të ardhurat nga tarifa vjetore mbi veprimtarinë e subjekteve të licencuara derdhen 70% në buxhetin e shtetit dhe 30% përdoren nga Agjencia.

3. Të ardhurat e Agjencisë, të krijuara sipas pikës 2, të këtij vendimi, klasifikohen në strukturën buxhetore me kapitull 06 “Të ardhura të veta jashtë limitit” të patrashëgueshme dhe përdoren vetëm për investime e shpenzime të mbarëvajtjes së veprimtarisë operacionale të Agjencisë.

4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos