Rreth një javë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu drejtua me një letër partive politike, duke u shpjeguar se afati kohore e pamundëson aplikimin e votimit elektronik në 5 qarqe siç ato kanë kërkuar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Socialiste i është përgjigjur institucionit po me një letër.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi propozonte në letrën e tij që votimi elektronik të kryhet vetëm në qarqet Durrës dhe Elbasan, raporton A2. Sipas tij, do të jetë më i lehtë që votimi elektronik të bëhet në Elbasan, pasi qytetarët janë të njohur me procesin, duke nisur nga eksperienca në zgjedhjet lokale të 14 Majit, ndërsa Durrësi rekomandohet për lehtësitë logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark krahasuar me qarqe të tjerë të vendit.
Por, Partia Socialiste ka paraqitur një propozim ndryshe për votimin elektronik, duke hedhur idenë që procesi të kryhet në tre qarqe, shkruan A2.
Partia në pushtet në propozimin e saj mban në lojë qarqet Durrës dhe Elbasan, por shton edhe Tiranën. Sipas PS kryeqyteti duhet të përfshihet në skemën e votimit elektronik pasi si qarku më i madh në vend prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh.
“Së pari, shprehim dakordësinë tonë që votimi elektronik të shtrihet në qarkun e Elbasanit dhe Durrësit. Së dyti, kërkojmë që votimi elektronik të shtrihet dhe në Qarkun e Tiranës. Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumëemërore të hapura). Nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votuesit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit”, thuhet në letrën e dërguar për PS drejt KQZ.
Në vijim, të majtët e mbrojnë propozimin e tyre me këto tre argumente: "Tashmë votimi elektronik është një procesi i njohur nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Nisur nga fakti që Tirana, e para ka realizuar modelin pilot të identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, është krijuar një eksperiencë nga qytetarët në këtë proces. Nga ana tjetër, është fakt se qarku Tiranë, ofron të gjitha kushtet optimale sa i takon burimeve njerëzore dhe infrastrukturës në tërësippër realizimin me sukses të këtij procesi. Vlen për tu përmendur, afërsia e KQZ me zonat zgjedhore, pasi do të jetë kjo e fundit që do të trajnojë aktorët dhe do të ofrojë shërbimin për realizimin efektiv të këtij procesi".
Më tej PS i shkruan Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve se në rast institucioni e ka të pamundur sigurimin e kushteve për votim elektronik në këto tre qarqe, atëherë të majtët propozojmë që procesi të realizohet vetëm në Tiranë, përcjell A2.
“Nëse nga ana juaj shihet e pamundur përfshirja e tre qarqeve në votimin elektronik, për shkak të kohës që keni në dispozicion deri në dekretimin e dates së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ju propozojmë që të miratoni si qark të vetëm, qarkun Tiranë, ku do të zhvillohet votimi elektronik”, thuhet më tej në letër. (A2 Televizion)