Çfarë ndodhi me Dash Sulën? Endri Shabani rrëfen prapaskenat: Kur punët bëhen në mes të natës ka gabime

Nga A2 CNN
20 Korrik 2025, 21:48 | Politikë

Çfarë ndodhi me Dash Sulën? Endri Shabani rrëfen

Endri Shabani, kryetari i Nismës Thurje, tregoi në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, se çfarë ndodhi me Dash Sulën.

“Ligji i jep të drejtën kreut të koalicionit që të dorëzojë listat. Ne thjesht propozonim lista. Ne kemi çuar listën tonë të dielën dhe ato janë dorëzuar të mërkurën në 12 të natës. Çdo punë që bëhet në mes të natës ka gabime dhe një nga këto gabime ka qenë edhe kjo e zotit Sula, që iu faturua Nismës Thurje. Edhe zoti Zeqir Kordhoni nuk është propozuar nga Nisma Thurje për listën e mbyllur. Çuam 3 kandidate për listën e mbyllur të Tiranës. Por, kishin çuar më shumë gra seç duhej dhe e zëvendësuan Majlinda Zikon e vendit të nëntë dhe futën Zeqir Kordhonin. Edhe zoti Sula u fut në 12 të natës dhe të nesërmen në mëngjes kërkonte garanci te lista e mbyllur. Negociatat me zotin Sula nuk i kam bërë unë. Unë kam pasur kundërshtitë e mia për disa kandidatë dhe parti të vjetra që donin të bëheshin pjesë e koalicionit”, sqaroi Shabani në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

“Ka pasur parti të tjera, shumë të vjetra, të cilat donin të bëheshin pjesë e koalicionit, por unë isha kundër sepse doja të ishim të gjithë të rinj”, shtoi Shabani në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Sipas tij, aktivistët e Nismës Thurje janë ndjerë të mënjanuar gjatë gjithë fushatës.

“Ku ka demokraci, ka tension. Pas kësaj që ndodhi, jemi të gjithë shumë të dëshpëruar pasi vite të tëra punë janë dëmtuar dhe na duhet shumë kohë për të rifituar besimin e publikut. Doja që debatin mos ta kishim bërë në publik, pasi edhe medias i ka shërbyer pasi ka hequr vëmendjen nga çështje më të mëdha në vend, siç është Thethi. Është telenovelë e shëmtuar, do doja ta kishim shmangur këtë”, tha Shabani në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

“Tani, duhet të gjejmë një mënyrë që Adriatiku të japë dorëheqjen, as unë nuk do e marr, por ta marrë dikush tjetër. Me zotin Pano Soko kam folur dhe do përpiqemi ta zgjidhim, duke mos rikonfirmuar tendencat autoritare që nuk i shërbejnë kauzës”, deklaroi Shabani në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos