“Kleana Xhuveli drejt Parlamentit”, Shabani: Keqardhje sepse humba një mik

Nga A2 CNN
20 Korrik 2025, 22:24 | Politikë

Endri Shabani, kryetari i Nismës Thurje, u shpreh në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, se ndjen keqardhje sepse ka humbur një mik, duke iu referuar Adriatik Lapajt.

“Kishim komunikim me zotin Lapaj dhe krejt papritur pashë që më kishte akuzuar publikisht. Në këtë presion që po më bëhej, reagova në mënyrë më të ashpër sesa do të kisha dashur unë të reagoja. Duke iu përgjigjur unë njësoj, i dhamë njerëzve një imazh që mund t’ia kishim kursyer. Keqardhja është që unë kam humbur një mik. Adriatik Lapajn e njoh që kur ishte student dhe më vjen keq që nuk mund të kemi më miqësi pas asaj që ka ndodhur”, tha Shabani në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

“Para një ore kam komunikuar me të dhe po përpiqemi që të gjejmë një zgjidhje, që mos të jetë avantazhuese as për mua, as për të. Mesa kuptoj, ne do të shkojmë drejt një kandidateje grua, që do të vijë nga Shqipëria Bëhet. Kleana Xhuveli do të bëjë një punë po aq të mirë sepse ne jemi ekip. Nëse Kleana Xhuveli, e cila e ka revokuar dorëheqjen, ka dakordësinë e të gjithëve, të shkojë ajo në Parlament. Është vajzë e re, jurist dhe po aq e mirë sa Endrit Shabani dhe Adriatik Lapaj. Ajo përfaqëson “Shqipëria bëhet”. Nuk ka pasur kurrë pretendim nga Nisma Thurje për të marrë mandat”, deklaroi Shabani në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

“Ku ka demokraci, ka tension. Pas kësaj që ndodhi, jemi të gjithë shumë të dëshpëruar pasi vite të tëra punë janë dëmtuar dhe na duhet shumë kohë për të rifituar besimin e publikut. Doja që debatin mos ta kishim bërë në publik, pasi edhe medias i ka shërbyer pasi ka hequr vëmendjen nga çështje më të mëdha në vend, siç është Thethi. Është telenovelë e shëmtuar, do doja ta kishim shmangur këtë”, tha Shabani në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos