Shabani flet për dajën: Ka marrë kërcënime me jetë, i janë kërcënuar edhe fëmijët

Nga A2 CNN
20 Korrik 2025, 21:19 | Politikë

Endri Shabani, kryetari i Nismës Thurje, tregoi në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, kërcënimet që ka marrë daja i tij, Zeqir Kordhoni.

“Zoti Zeqir Kordhoni është ndjerë i përdorur. Ai ka thënë që nuk mund të talleni me mua. Ai është aktivist që në vitin 2023. Ka mbledhur firma, ka shpërndarë fletëpalosje… Në irritim e sipër, ai tha “unë jam burrë, jo politikan”. Ai është ndjerë se Adriatiku nuk është treguar serioz me të. Unë jam përpjekur ta bind, por kur kanë nisur kërcënimet unë nuk e bind dot më, kam humbur mundësinë për të komunikuar dhe e fundit, nuk e di a është e drejtë që ta bind. Unë kam luftuar me modelet e dhunës dhe nuk e pranoj dot si normale që në një konflikt politik, zgjidhja të jetë dhuna, kërcënimi i fëmijëve, gruas, familjes… Nuk dua të hyj në detaje, por ka marrë kërcënime me jetë”, tha Shabani në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

“Ky është standard i tejkaluar edhe te partitë e vjetra që njiheshin si të dhunshme. Unë nuk dua ta përshkallëzoj më tej situatën dhe shpresoj që edhe zoti Kordhoni mos ta bëjë denoncimin. Dua ta shuaj sa më shpejt këtë. Nëse Kleana Xhuveli, e cila e ka revokuar dorëheqjen, ka dakordësinë e të gjithëve, të shkojë ajo në Parlament. Është vajzë e re, jurist dhe po aq e mirë sa Endrit Shabani dhe Adriatik Lapaj. Ajo përfaqëson “Shqipëria bëhet”. Nuk ka pasur kurrë pretendim nga Nisma Thurje për të marrë mandat. Zoti Zeqir Kordhoni nuk e ka menduar ndonjëherë të bëhet deputet duke qenë në fund të listës”, shtoi më tej Shabani.

Sipas tij, Adriatik Lapaj duhet të mbante fjalën.

“Politika e vjetër këtë punë ka bërë 34 vjet. Premtime para zgjedhjeve që nuk mbaheshin pas zgjedhjeve”, theksoi Shabani në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Më tej, ai iu kthye kërcënimeve ndaj dajës së tij: “Nuk e kemi as moralin tani që t’i themi një njeriu që i është kërcënuar familja “tërhiqu ti se bënë shaka këta që të kërcënuan fëmijët”. Edhe dje një personazh publik i thonte që “publiku do t’i pështyjë fëmijët e tu kur të dalin në rrugë”. Në një situatë të tillë, zgjidhja është ligjore. Ne mund t’i kërkojmë KQZ-së që të njohë dorëheqjet e dorëzuara në 11 maj. Listën e mbyllur e mbushëm me njerëz që nuk kishin synim për t’u bërë deputet. 6500 njerëz kanë votuar për Adriatikun dhe 3100 për mua. Në asnjë rrethanë nuk ndodh që të gjithë dëshirat e votuesve të përfaqësohen në Parlament”.

“Zoti Zeqir Kordhoni ka reaguar në një moment irritimi dhe është përkeqësuar situata kur ka marrë kërcënime. Aty më pas nuk ka më pikë kthimi. Kjo është fatkeqësia. Unë besoj se pas gjithë kësaj situate, si unë, ashtu edhe zoti Lapaj, nuk besoj që pretendojmë më mandat. Nuk kam si i them zotit Kordhoni “mos i merr seriozisht kërcënimet me telefon e në shtëpi”. Ky është model që duhet ta dënojmë, nuk mund ta promovojmë”, deklaroi Shabani në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos