Rama: BE ka shumë mjekë për një pacient, hahen me njëri-tjetrin për të gjetur diagnozën

Nga A2 CNN
24 Maj 2025, 09:41 | Politikë

Rama: BE ka shumë mjekë për një pacient, hahen me

Kryeministri Edi Rama është shprehur se Bashkimi Europian ka vështirësi për të dalë me një vendim të përbashkët.

Komentet Rama i bëri menjëherë pas përfundimit së Samitit të KPE, që u zhvillua në Tiranë, teksa zhvilloi një bashkëbisedim me producentin Richard Attias, një prej organizatorëve të FII (Iniciativa e Investimeve të Ardhshme).

Për të shpjeguar deklaratën e tij, Rama tha se BE ka shumë mjekë për një pacient, që sipas kryeministrit, hahen me njëri-tjetrin për të gjetur diagnozën, shkruan A2 CNN.

Shefi i ekzekutivit shtoi se BE po vuan nga ky proces demokratik, por që sipas tij, nga ana tjetër, i duhet padyshim të ruajë demokracinë.

Pjesë nga diskutimi:

Richard Attias: Pak muaj më parë, në Konferencën e Sigurisë në Mynih,  ju thatë se BE-ja është më shumë “E” sesa “B”, është më shumë Europian sesa Bashkim. Si mendon se mund ta zgjidhim këtë problem, për të cilin shumë njerëz bien dakord me ju? Pra, si mund ta bëjmë BE-në të bashkuar vërtet?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, një nga problemet që shoh te BE-ja vështirësia e daljes me një vendim, pasi ka shumë mjekë për një pacient, që hahen me njëri-tjetrin për të gjetur diagnozën, hahen se cili është mjekimi i duhur dhe, në një farë mënyre, BE-ja po vuan nga ky proces demokratik, por, nga ana tjetër, i duhet padyshim ta ruajë demokracinë. Sidoqoftë, thelbi i kësaj është që BE-ja duhet të mendojë se mënyra e vetme për t’iu bërë ballë fuqive që po dalin në pah dhe këtij rendi të ri që po lind është të bëjë të pamendueshmen për të thyer fuqishëm paragjykimet që janë krijuar. Kur organizuam KPE-në, iu thashë të gjithëve që e kemi dekoruar këtë shtëpi me vizatimet e fëmijëve, por shoh shumë  ngjashmëri mes ëndrrave të fëmijëve dhe ëndrrave të etërve themelues të Europës, sepse as njëri e as tjetri nuk janë marrë peng nga mitet e së shkuarës. Kësisoj, Europës i duhet të shkojë përtej së shkuarës së vet, e kam fjalën për të shkuarën e afërt dhe nuk duhet të humbasë bindjen dhe besimin te vetja si kontinent i paqes. Pra, është mirë të riarmatosesh, është mirë të përgatitesh për të mbrojtur veten, por nuk duhet të harrojmë se, në Europë, nuk është vetëm territori fizik që ia vlen të mbrohet, por edhe shpirti i Europës që është praktikisht shpirti i botës. Nëse e humbasim këtë shpirt, mund të kemi edhe ushtrinë më të fuqishme, po çfarë do mbrojmë? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos