“Rama i bëri thirrje SPAK-ut të hetonte Berishën”, Malltezi rrëfen 20 muajt e arrestit shtëpiak

Nga A2 CNN
9 Korrik 2025, 21:23 | Politikë

Pas lirimit nga masa e sigurisë “arrest në shtëpi” nga Gjykata e Posaçme, Jamarbër Malltezi rrëfeu në A2 CNN 20 muajt e arrestit shtëpiak, ndërsa akuzoi SPAK-un për hetime të motivuara politikisht. Në Debatin me Alba Alishanin ai e quajti arrogancë shtetërore privimin e lirisë, ndërsa një nga vendimet ku nuk i lejohej komunikimi me askënd e cilësoi çmenduri, teksa renditi dhe arsyet e lirimit të tij nga masa e arrestit shtëpiak.

“E para mbaruan zgjedhjet, e dyta ka 3 çështje në emrin tim në Strasburg dhe avokatura ka shkuar në arkivin e gjykatës se një nga vendimet është i çmendur, moskomunikimi me askënd përveç atyre në banesë dhe as me avokatët. E treta se po shkonte dy vite dhe afati kushtetues nuk mund të jetë më tepër se dy vite. Qeverisja e kishte problem komunikimin tim me persona të tretë. Privimi i lirisë është arrogancë shtetërore, problemi kryesor lidhet me komunikimin e përditshëm dhe nevojat e fëmijëve që nuk i përgjigjesh dot”.

Duke theksuar se në dosjen Partizani ka pasur shumë absurditet, Malltezi tha se një prej tyre ka qenë edhe moskomunikimi me avokatët, për të cilën në të gjitha gjykatat ku kanë shkuar për ta ankimuar u është refuzuar.

“Për gjyqtarët e Ramës të zhvillosh pronën tënde është herezi, kjo është për të qeshur e qarë. Ka pasur shumë elementë absurditeti në këtë histori dhe një që është të mos komunikosh me avokatët. Një nga avokatët i sugjeroi sime shoqeje të ankimonin masën e moskomunikimit. Ka shkuar në të gjithë gjykatat dhe e kanë lënë në fuqi, është çmenduri”.

Malltezi vijon më tej duke shtuar se arrestimi i tij pa një letër është një tjetër absurd që tregon se nuk donin hetim për të vërtetën, por ndiqnin urdhrat politikë.

“Absurditeti i të arrestuarit pa të dhënë një copë letër, momenti i parë, i dyti si nuk pyesin se unë kisha dosjen që tregon se nuk kemi hetim për të vërtetën, por ndjekje të urdhrave politikë që shkojnë në absurditet”.

Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se ka 8 firma për ish-kompleksin Partizani dhe nuk është thirrur asnjëherë dëshmitar, por sipas Malltezit, ai i ka dhënë urdhër SPAK-ut për të hetuar Berishën.

"Në këtë dosje ka 8 firma Edi Rama dhe nuk thirret dëshmitar. Ne kemi ndjekur edhe rrugën gjyqësore se Edi Rama pasi kishte dhënë vetë ndërrimin e destinacionit dhe lejet, pasi mori vesh që isha unë një nga përfituesit menjëherë refuzoi zbardhjen e lejes. E çuam në gjykatë këtë dhe pavarësisht se kishte vendim gjykate të formës së prerë çoi policinë bashkiake që nxirrte urdhra të kundraligjshëm. Këtu kemi vepër tjetër penale. Prokuroria e gjyqtarja Irena me 3 mbiemra refuzuan që të pranonin DVD në të cilën Rama i jep urdhër SPAK-ut procedoni penalisht Sali Berishës. Edhe SPAK dhe Irena refuzoi ta pranonte”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos