Tokat e “Xanuna” në Shqipëri, Rama lajmëron reformë të re kontrolli për zhvillimin e territorit

Nga Fjorela Beleshi
9 Korrik 2025, 15:15 | Politikë

Puna e deritanishme e institucioneve shtetërore për mbikëqyrjen e zhvillimit të territorit nuk është bërë siç duhet. Këtë e pranon vetë kryeministri Rama, i cili pasi inspektoi disa zona në vend dhe urdhëroi prishjen e ndërtimeve pa leje, lajmëroi në rrjetet sociale se territori do t’i nënshtrohet një skeme të re.

Rama nuk flet për masa ndaj zyrtarëve që kanë bashkëpunuar me zaptuesit apo kanë mbyllur njërin sy, por lajmëron ndryshime ligjore, shkruan A2 CNN.

 “Toleranca ndaj tokave të zaptuara në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit dhe të zhvillimit të territorit”, tha Rama.

Reformat ai i sheh si të nevojshme për rrugën drejt Brukselit dhe pohon se do të shtrihen edhe në sektorë të tjerë, që prekin jetën e qytetarëve në përditshmërinë e tyre.

“Kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pijshëm, të sistemit të pastrimit dhe të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama.

Prej disa ditësh, shefi i qeverisë ka urdhëruar bashkitë në vend që, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse, të “pastrojnë” qytetet nga zaptimet e bizneseve të cilat prej kohësh vijojnë aktivitetet e tyre në tejkalim të lejeve që kanë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos