Urdhrin e Edi Ramës dhe aksionin e policisë për shembjen e godinave të ndërtuara pa leje në Theth, kreu i opozitës e konsideron si hakmarrje të qeverisë për të larguar turistët nga zona.
“Në mesin e sezonit turistik ka gjetur hakmarrjen ndaj Thethit për t’ia larguar edhe ata turistë që i shkojnë si burimi i vetëm i të ardhurave për atë komunitet. T’i thuash çmenduri, nuk është çmenduri se është qëllim”.
Pranon se banorët e Thethit në Shkodër mund të kenë kryer shkelje ligjore me ndërtimet e tyre, por thotë se çdo godinë e kanë në tokë të trashëguar dhe nuk kanë zaptuar territor. Berisha shton se shembjet duhet të bëhej jashtë sezonit.
“Po në qoftë se aty janë bërë shkelje, ta zëmë, atëherë çdo shtet çon njoftimin e konstatimit dhe nuk ka shtet në botë që ndërhyn në mes të sezonit. Ata kanë kontrata, ata kanë prenotime, ata kanë njoftime. Prit të bjerë sezoni dhe vepro”.
Kreu i demokratëve gjen një tjetër arsye të këtij aksioni te zgjedhjet.
“Ai ka një hall të madh pasi është kapur në çark për vjedhjen e zgjedhjeve, për farsën elektorale, për shkatërrimin e procesit, tani bën çdo gjë që vëmendja e shqiptarëve të shpërqendrohet nga farsa. Por këto janë akte krimi shtetëror.”
I pyetur për Ervin Salianjin, të liruar nga burgu një ditë më parë, Berisha pohoi se ende nuk është takuar me ish-deputetin e tij, dënimin e të cilit e ka konsideruar si të motivuar politikisht.
“Me Ervin Salianjin kam komunikim të vazhdueshëm me të dhe tani do vijë dhe ta takoj”. (A2 Televizion)