Pas ndryshimeve të kabinetit qeveritar të propozuara nga kryeministri Edi Rama në Kongresin e PS, pritet dekreti i presidentit Bajram Begaj. Këto ndryshime, por edhe të tjerat në Kryesinë e Kuvendit po diskutohen sot në mbledhjen e grupit të PS.
Në mbledhjen e grupit të drejtuar nga Rama të pranishëm janë edhe ministrat e rinj, të cilët u emëruan ditën e djeshme.
Në një mbledhje ku ka folur vetëm Rama, ai ka falënderuar ministrat e ndryshuar dhe të larguar nga qeveria për punën e bërë, por tashmë mësohet të ketë thënë ai është koha për të forcuar punën në Parlament.
Parlamenti do të mblidhet pasditen e sotme në një seancë të jashtëzakonshme në orën 18:00.
Në këtë seancë do të votohet kryetarja e re e Kuvendit, Elisa Spiropali, si edhe do të kalojnë dekretet e presidentit Begaj për ndryshimet në Qeveri.
Në Kongresin e Partisë Socialiste, Edi Rama njoftoi edhe ndryshimet në qeveri. Detyra e Taulant Ballës në krye të Ministrisë së Brendshme nuk zgjati shumë. Ai është larguar nga Rama nga ky post dhe është propozuar si Ministër i Shtetit. Kjo detyrë është mbajtur më herët nga Elisa Spiropali, e cila tashmë me largimin e Lindita Nikollës ka marrë detyrën e rëndësishme si kryetare Kuvendi. Si zëvendës i Ballës në ministrinë e Brendshme është caktuar Ervin Hoxha.
Gjithashtu, Rama ka larguar edhe Bledi Çuçin si kreu i grupit parlamentar dhe këtë përgjegjësi ia ka deleguar Niko Peleshit. Ndërkohë, pas detyrës së re që ka marrë Peleshi, vendin e tij në Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë Piro Vëngu. Gjithashtu, Ervin Mete nuk do të jetë më ministër i Financave, por Petrit Malaj. (A2 Televizion)