Pas dorëheqjes së drejtuesve të Bashkisë Vlorë, është hapur thirrja për 12 pozicione drejtuese në këtë bashki. Njoftimi i kryebashkiakut Ermal Dredha për këto “vakanca” u pasua nga ai i drejtuesit politik të Vlorës, Bledar Çuçi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Çuçi u bën thirrje të gjithë profesionistëve, të rinjve dhe rejave për t'u bërë pjesë e ekipit që po ndërton sipas tij Vlorën e gjeneratës tjetër.
“Pas dorëheqjes së drejtuesve të Bashkisë Vlorë, hapet thirrja për plotësimin e vendeve vakante për 12 pozicionet e para për drejtues. Thirrja ime shkon për të gjithë profesionistët, për të rinjtë e të rejat e shkolluar brenda apo jashtë vendit, të aplikojnë për t’u bërë pjesë e administratës vendore dhe ekipit që po ndërton Vlorën e gjeneratës tjetër. Me përvojën tuaj dhe pasionin për shërbimin publik, ne mund të çojmë përpara të gjitha sfidat dhe të bëjmë një kapërcim epokal të paraqitjes dhe shërbimit për Vlorën 2030. Fuqia e ndryshimit nis nga TY, nis nga idetë e reja dhe nga ata që nuk qëndrojnë si spektatorë, por marrin përsipër përgjegjësi”, shkruan Çuçi krahas postimit edhe të vendeve vakante.
Pozicionet e hapura për aplikim:
Kryeinspektor në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Territorit
Drejtor në Policinë Bashkiake
Kryeinspektor në Ndërmarrjen e Shërbimeve publike
Drejtor në Ndërmarrjen e Gjelbërimit
Drejtor në Ndërmarrjen e Pastrimit
Drejtor në Drejtorinë e Mbrojtjes Civile
Drejtor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve
Drejtor në Shtëpinë e Foshnjës
Drejtor në Teatrin “Petro Marko”
Drejtor në Drejtorinë e Projekteve të Huaja, Integrimit Europian dhe Diasporës
Drejtor në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm
Drejtor në Drejtorinë e Protokoll Arkivës
(A2 Televizion)