Kryeministri Edi Rama e cilësoi “fletërrufe të kënetës” rezolutën e miratuar nga Partitë Popullore Europiane këtë javë, për lidhjen e të ardhmes europiane të Shqipërisë me zgjedhjet e lira.
“Është një fletërrufe e kënetës. E di shumë mirë si funksionojnë konferencat e partive që mblidhen të gjithë bashkë. Një parti aty fut një tekst, është i shkruar fund e krye nga grupi i bretkosave që merren me këtë temë, edhe ata e kalojnë. Por në ndërkohë ju bëj me dije se të gjithë kryeministrat e atyre partive që ishin në atë mbledhje, ashtu sikundër edhe presidentja e KE dhe kryetari i KE, etj., do të jenë në Tiranë më 16 maj. Dhe faktin që vijnë në Tiranë për të mbajtur Samitin e Komunitetit Politik Europian, flet shumë qartë se çfarë është Shqipëria e sotme”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.
I pyetur kur do të marrë fund kontestimi i zgjedhjeve në vendin tonë, Rama kujtoi zgjedhjet kur PS fitoi mandatin e parë. “Ato zgjedhje në 2013-n nuk janë kontestuar sepse kush e kishte në dorë t’i organizonte, i humbi dhe nuk kishte çfarë të kontestonte. Por për sa kohë në krye të kënetës do të vigjilojë bufi i kënetës, nuk do të ketë zgjedhje të pranuara në Shqipëri”. (A2 Televizion)