“Partitë e vogla janë farë e keqe si LSI-ja”, Adriatik Lapaj i përgjigjet Edi Ramës

Nga A2 CNN
3 Maj 2025, 20:22 | Politikë

“Partitë e vogla janë farë e keqe si LSI-ja”,

Drejtuesi i koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj i është përgjigjur ashpër Edi Ramës, pasi kryeministri i cilësoi partitë e vogla që garojnë në zgjedhjet e 11 majit si “farë e keqe”, e cila sipas tij “nuk duhet lënë të mbijë dhe të marrë fushat shqiptare”.

“I keni dëgjuar ata gjoja partitë e reja çfarë thonë. ‘Po na ra ne rasti, dhe nëse na japin votat shqiptarët për të mos lënë të bëhet qeveri do shkojmë në zgjedhje të parakohshme’. A ju kujton ndonjë gjë kjo? Ata që merren me bujqësi e dinë shumë mirë se çfarë është fara e keqe dhe është ajo farë e keqe që polli të ndjerën LSI. Ju e dini se ç’kemi hequr me atë farë të keqe, sot ajo farë e keqe nuk duhet lënë të mbijë dhe të marrë fushat shqiptare. Sepse s’kanë asnjë ofertë, asgjë të re, po atë gjuhë të kënetës, sharjet e akuzat e kënetës”, u shpreh Rama gjatë takimit përmbyllës të fushatës në Sarandë.

Pas kësaj deklarate të kryeministrit, Adriatik Lapaj e ka cilësuar atë si të pangopur dhe mosmirënjohës, por nënvizon se Rama nuk do të jetë kryeministër pas 11 majit.

Përpos se i pangopur, është dhe mosmirënjohës. Pasi u bë kryeministër, duke bashkuar votat me LSI-në, e pasi i shpërbleu me 20% të vendeve të punës në administratë, duke trajtuar administratën sikur ta kishte plaçkë të veten, e pasi i bëri ministra, kryetarë parlamenti, e deri president të vendit, tani bën sikur ka zbritur nga ndonjë planet tjetër, dhe nuk ka qenë ky autori i këtyre gjërave. Zoti Rama, nëse do të jetë në dorën tonë përmes votave të qytetarëve, krijimi i kësaj qeverie që vjen, ti nuk do të jesh kryeministri i këtij vendi. Ne do ta çlirojmë Shqipërinë nga ky model politik”, u shpreh Lapaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos