Gjatë kësaj fushate për zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama u detyrua të kërkonte ndjesë për shkak të përdorimit të termit “autik politik” për personat që zgjidhnin të votonin për opozitën dhe jo për Partinë Socialiste.
I pyetur në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, pse e përdori atë term, por edhe për fjalorin që përdor në përgjithësi për opozitën, Rama u përgjigj: “Satirat dhe karikaturat nuk hynë në bullizim. Ato kanë status të veçantë në botën e sotme, sepse demokracia dhe liria e shprehjes, satirën dhe karikaturën, i konsideron si forma të larta shprehjeje... Ju futët aty edhe fjalën autik. Unë e kam përdorur krejt ndryshe nga sa u manipulua, sepse kam folur për autizëm politik. Dhe nëse do t’i referoheni literaturës, këtë terminologji do ta gjeni në literaturën akademike dhe politike, të përdorur shumë shpesh”.
“Këtë shpjegim bëra dhe unë, që ajo diku flinte në kokën time dhe doli në atë moment. Por përballë lëndimit të qoftë edhe një nëne të vetme të një fëmije autik, unë u ndjeva fajtor dhe kërkova ndjesë për të gjithë ata prindër të fëmijëve autik, që përpos të tjerave, sepse unë, - për shkak të detyrës kam mësuar edhe për autizmin, janë fëmijë të jashtëzakonshëm - ndërkohë që shpreha të gjithë neverinë time për ata që e përdorën këtë shprehje për ta futur në këtë kategorizimin e përgjithshëm”. (A2 Televizion)