Premtimi për ujë 24 orë në ditë, Rama: Nuk është zotim i pambajtur, populli e di dhe voton masivisht PS

Nga A2 CNN
3 Maj 2025, 21:23 | Politikë

Në fushatat e kaluara, kur kërkonin votën e shqiptarëve, Edi Rama dhe Partia Socialiste premtuan ndër të tjera ujë 24 orë në ditë, dhe shumë të tjera. A ka Edi Rama deklarata që nuk do të donte t’i kishte bërë në fushatat e të shkuarës, si ajo “Nëse nuk e bën një punë për 8 vite, mos e bëj më”, apo “Ujë 24 orë”...

“Jo, nuk kam asnjë problem për çfarë kam thënë. Kur kam folur për ujin e pijshëm kam pasur një tablo të caktuar përpara. Dhe kur kam filluar punë me skuadrën time, kemi parë që situata ishte edhe më keq se sa mund ta shikonim edhe nga jashtë”, u përgjigj kryeministri në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.

“Por sot kemi faktet përpara, nga një vend që kishte vetëm 4 zona urbane me 24 orë ujë, kemi një vend që ka 43 zona urbane, 98 zona rurale, ka 11 zona të tjera që janë sot që flasim në kantier dhe mbeten dhe 5 zona të fundit që i përkasin mandatit të katërt. Kështu që arsye pse këto lloj ngacmimesh që përdoren për të treguar që ky i ujit të pijshëm është zotim i pambajtur nuk funksionojnë, është se populli e di, e ka ujin në çezmë. Prandaj rezulton se shqiptarët mendojnë që vendi po shkon në drejtimin e duhur dhe siç e tregojnë sondazhet, ata votojnë masivisht Partinë Socialiste”.

“Mendoj se shqiptarët janë më të zgjuar se unë, dhe pikërisht se e respektoj lumturinë e këtij populli jam shumë i vëmendshëm se çfarë flas dhe si i transmetoj gjërat që bëj ose dua të bëj”, shtoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos