Në një interviste ekskluzive në “Off the Record” në A2 CNN, me gazetarin Andrea Danglli, kryeministri Edi Rama dha një shpjegim për termin më të përdorur prej tij gjatë kësaj fushate, “këneta” dhe “bufi i kënetës”, drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
“Këneta nuk është bullizim. Është metafora e një realiteti shumë konkret dhe shumë të prekshëm. Opozita jonë është kënetë, është uji i ndenjur. Ka mbetur në mëshirën e një individi të pashpresë që e ka marrë peng gjithë opozitën, ndërkohë që mezi lidh fjalitë e veta, për shkak se edhe mosha ka bërë të vetën. Kështu që është kënetë”, tha Rama.
“Ky individ, i cili ka marrë një status në fakt, një status të cilin ia keni vënë të gjithë ju, duke ia pranuar të gjitha llojet e katran me bojërave që nxjerr çdo ditë për këdo që është jashtë perimetrit të kënetës, për mua personalizon ekzatësisht bufin e kënetës. Shpendi që rri në kënetë, që ushqehet me krijesat aty brenda. Sepse ky individ ushqehet me krijesat aty brenda. Prandaj ajo parti, e lindur si parti e shpresës, nuk arrin dot të shpëtojë nga kthetrat e këtij bufi dhe mbetet një kënetë ku, të gjithë ata që janë pak më ndryshe, o gëlltiten nga bufi, u mbyten në ujërat e kënetës. Primaret ishin shëmbëlltyra më spektakolare e kësaj që po them, si fituesit e primareve u gëlltitën nga bufi dhe u zhdukën nga listat. Nëse do të ishte garë, fituesit nuk do të përfundonin në barkun e bufit dhe nuk do të ishin persona në kërkim, në kuptimin që nuk dihet ku janë, nga pikëpamja politike”. (A2 Televizion)