Në krye të Ministrisë së Brendshme, Edi Rama deklaroi se për herë të parë do të emërohet një grua dhe njoftoi se ajo do të jetë Albana Koçiu.
Problematikat që duhet të zgjidhen nga Ministria e Brendshme, sipas kryeministrit, janë adresat e banesave dhe sistemi i paprambetur i zjarrfikësve, shkruan A2.
“Gjithmonë është ngritur një grup pune për adresat dhe adresat janë te kthesa e Pallatit me Shigjeta… Kemi sistem zjarrfikësish të prapambetur. Sot, zjarret dhe jo krimi janë problemi më i madh në Shqipëri, duke kërkuar nga ne adresim strategjik afatshkurtër dhe afatgjatë. Policia ishte e natyrshme të ishte si çeta e ministrit të Brendshëm deri kur vendi kishte mesatarisht mbi 110 vrasje në vit. Edhe kur ringritja e Policisë së Shtetit ishte prapë e natyrshme që policët mos të shtynin më makinat se i mbaronte karburanti rrugës. Politika dhe strategjitë e punëve të brendshme nuk mund të jenë më vetëm dosje që flenë në sirtare. Strategji të shkruara dhe të kyçura. Funksionimi i prefekturave, policimi në komunitet, vizat e lejet e qëndrimit e të punës… Për të mos folur për kontrollin e territorit, për transformimin teknologjik të sistemit të punëve të brendshme, që nuk mund të mbeten më si punë angari për shefat e përgjumur, komplet të pamotivuar”, deklaroi Rama para se të prezantonte ministren e re.
“Për të adresuar të gjitha këto, në drejtimin e Ministrisë së Brendshme do të vijë Albana Koçiu”, tha Rama. (A2 Televizion)