Sali Berisha refuzon t’i përgjigjet deklaratave të Kryeministrit Edi Rama që nga zyra komentonte koalicionin dhe programin e demokratëve. Gjatë një deklarate për mediat, Berisha tha se Rama është në komë politike dhe nuk ka asnjë program ndaj dhe sulmon aleatët e Partisë Demokratike.
“Njeriu në komë politikë, nuk duhet të kemi asnjë lloj vëmendje për të. Fakti që nuk guxon të paraqesë një program para shqiptarëve, dëshmon se Edi Rama është e shkuara e këtij vendi”.
Rubrika “Sy më sy” e kryeministrit ngjan për Berishën më shumë si një mashtrim “sy për sy”. Sipas liderit të PD çdo pyetje që Rama i përgjigjet është e sajuar dhe nuk i dërgohen nga qytetarët.
“Nga verifikimi i fakteve, në 1400 komente, nuk ekzistonte as pyetja, as emri i atij që Edi Rama pretendonte se e ka pyetur. Dhe unë do i kërkoj zyrës së shtypit të bëjë një njoftim për këtë se ky përbën mashtrim publik. A mundet unë t’i përgjigjem një mashtruesi publik?”, tha Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike.
Rikthimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçit, në jetën publike, lideri opozitar e sheh me dyshime, ku sërish pohoi se nuk është i bindur që ka qenë i sëmurë.
“Në rast se ai është operuar, unë kam koment si për çdo të sëmurë: shërim të plotë. Në rast se ai për llogari të vetes dhe Edi Ramës ka bërë të sëmurin imagjinar, atëherë ai është i pashpresë. Kaq i them!”, tha Berisha.
Në lidhje me koalicionin opozitar, Berisha konfirmoi se Ilir Meta do të jetë në listën e mbyllur duke e quajtur atë një të burgosur politik. (A2 Televizion)