Pas inspektimit të rrugës Bunavi–Kërkovë në Vlorë, kryeministri Edi Rama u zhvendos në Sarandë, ku u takua me sipërmarrës të rinj të kthyer në Shqipëri. Ai u bëri thirrje për investime në agroturizëm apo agropërpunim. Duke folur për paketën e maleve, kryeministri tha se kjo paketë nuk iu referohet vetëm ‘maleve’, por çdo territori të Shqipërisë. Sipas tij 500 të parët që do aplikojnë dhe nisin investimin nuk do paguajnë taksa për një periudhë 10-vjeçare.
“500 të parët që do të futen në aplikim për të zhvilluar një pronë për agroturizëm, për agropërpunim, ose për çfarëdolloj zhvillimi tjetër me natyrë rurale që kërkon një investim, po kryesisht për agroturizëm, do të ketë një periudhë 10-vjeçare pa asnjë taksë. I 501 do paguajë taksë. Për ata që kanë vizion dhe kurajo, Shqipëria është vendi ideal për të investuar se të jep mundësinë që pastaj të fitosh shumë me tepër se çfarë mund të fitosh jashtë dhe duke punuar për të tjerët”, tha Rama.
Sipas tij nga kjo paketë, përfitues mund të jenë edhe persona si në zonat edhe Delvinë apo Konispol.
“Emri ju krijon një ide të gabuar, edhe pse ligji që ne kemi kaluar me emrin paketa e maleve i referohet maleve në radhë të parë, por në tërësi është një ligj që i referohet territoreve të brendshme të vendit. Që do të thotë edhe territoreve brenda të gjithë rajonit Sarandë, ku përfshihen, Delvina, Konispoli, Finiqi dhe ku ka një potencial të madh për të investuar. Në ligjin me emrin paketa e maleve edhe pse këtu është pak më ndryshe, jo komplet ndryshe, mjafton një dëshmi e miratuar nga Këshilli Bashkiak, sa i përket pronës që mund të mos ketë hipotekën për shkaqe që lidhen me 7501, mjafton ajo dëshmi për të bërë marrëveshjen me shtetin, për të marrë lejen e ndërtimit dhe për të filluar investimin. Në momentin kur mbaron investimin, prona është e jotja e hipotekuar”.
(A2 Televizion)