Kryeministri Edi Rama vijoi rubrikën e tij të komunikimit “Sy m’sy” me të njëjtat mesazhe. Ai iu përgjigj komentuesve në rrjetet sociale duke u shprehur se socialistët janë forca e vetme që mund ta bëjë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian. Në dialogun që zgjati mbi gjysmë ore, kreu i qeverisë gjeti disa minuta kohë për të sqaruar përse e quan Berishën “Bufi i Kënetës”.
Takimi i radhës “Sy m’sy” nisi me një incident të vogël. Bufi që mban mbi tavolinë nuk e kishte me dëshirë t’i bindej vullnetit të kryeministrit, por kjo nuk e shpërqendroi nga objektivi për t’i mëshuar të njëjtave mesazhe. Çfarë duhet të mbetej në mendje ishte vetëm një, “PS mund ta bëjë Shqipërinë pjesë të BE-së”. Madje për të përforcuar këtë mesazh, huazoi disa fjalë nga astrologjia.
“Yjet janë në favorin tonë, PS e bën Shqipërinë pjesë të BE-së”.
Edi Rama përzgjodhi një komentues për t’iu përgjigjur akuzës se “shokët” po i bien në burg duke rrahur gjoksin se kjo është meritë e tij dhe e socialistëve.
“Meritë e imja dhe e PS lufta kundër korrupsionit”.
Por një tjetër komentues e kritikoi Ramën për mënyrën si i drejtohet Sali Berishës, duke e konsideruar si ofendim.
“Unë nuk shaj, Buf kënete metaforë”.
Këtë herë kreut të qeverisë i mjaftuan diçka më shumë se 30 minuta për të përmbyllur takimin e radhës “Sy m’sy”.
(A2 Televizion)