Anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe plani i rritjes ishin në qendër të bisedimeve mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, e cila nisi nga Tirana, një tur në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kreu i qeverisë, në konferencën e përbashkët për shtyp, ripërsëriti qëndrimin se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në unionin europian, është duke ecur përpara me shpejtësi.
“Me presidenten patëm një bashkëbisedim që preku të gjitha temat e interesit të përbashkët dhe natyrisht që për ne mbetet një moment shumë i rëndësishëm dhe që vlerësojmë shumë fakti që presidentja dhe KE i japin një rëndësi të posaçme Ballkanit Perëndimor dhe i japin një vëmendje procesit të përafrimit të vendeve tona me BE. Kemi folur për ecurinë e negociatave të Shqipërisë në BE, një proces që në këndvështrimin tonë, por edhe sa dëgjova nga presidentja është duke ecur me shpejtësi. Folëm edhe për planin e ri të rritjes që BE, KE nën udhëheqjen e Von der Leyen i ka vënë në dispozicion çdo vendi të rajonit tonë”, tha Rama. (A2 Televizion)