Kryeministri Edi Rama, në një komunikim në Facebook, u bëri thirrje bizneseve që të lirojnë hapësirat publike që kanë zënë nëpër qytete.
“I bëj thirrje të gjithë atyre që kanë keqkuptuar sensin e pronës së përbashkët dhe të asaj private. Këtu kam parasysh ndërtuesit e pallateve, që pasi kanë ndërtuar pallatet, kanë vazhduar ta trajtojnë pronën përreth si pronë private. Ajo nuk është private, ajo zonë i përket komunitetit të banorëve në atë pallat. U bëj thirrje atyre që zotërojnë të tilla asete, që nga trarët që vendosin për parkim për t’u marrë lekë banorëve, që t’i heqin vetë trarët dhe pengesat; u bëj thirrje atyre që janë hapur me tenda në lokale që t’i çmontojnë vetë sepse do të përballen me gjoba dhe ndjekje penale për krim mjedisor dhe zaptim e shkatërrim të pronës publike”, deklaroi Rama, shkruan A2.
“Në këto dy javë, të gjithë deputetët e Partisë Socialiste, duhet të kenë inventarët e të gjitha zonave në këto qytete, me të gjitha kleçkat që u kanë nxirë jetën banorëve në këto qytete. Territore të tëra janë kthyer në “tokë e xanun” në mënyrë të padrejtë, prandaj në dy javët e dyta të korrikut do të vijojmë me inspektoratet dhe policitë bashkiake për ta ngritur në hava shtëpinë tonë të përbashkët, si amvisat kur bëjnë pastrimin gjeneral të muajit”, shtoi Rama.
(A2 Televizion)