Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se “dhuna dhe shkatërrimi i ekonomive të banorëve të Thethit është një nga aktet më të rënda, më të paprecedentë në historinë e një vendi”.
“Edi Rama është sjellë me Thethin njëlloj si malazezët, turqit, serbët, Mehmet Shehu. Është sjellë me Thethin dhe dukagjinasit si një pushtues i egër. Armiqësia e Edi Ramës ndaj banorëve të Thethit tejkalon të gjitha armiqësitë e njohura gjer sot ndaj tyre. Edi Rama përdori praktikat më të ulëta morale, pafytyrësinë dhe pabesinë më të madhe për të realizuar një projekt shkatërrimtar për banorët, një projekt mafioz, një projekt antishqiptar, një projekt hakmarrës, primitiv. Shqiptarët duhet ta dinë se në Theth absolutisht nuk ekziston asnjë pëllëmbë tokë e xanun, jo në Theth, po as në veri askund sepse tokën ata e kanë trashëgimi shekullore të paraardhësve të tyre dhe nuk kanë marrë kurrë asnjë pëllëmbë tokë të tjetërkujt apo tokë të askujt. Ka edhe toka të askujt, mera quhen, toka publike”, tha Berisha, shkruan A2.
“Pra, kreu një aksion urrejtje të papërmbajtur ndaj njerëzve që kishin shfrytëzuar pronën e vet për të ndërtuar pasi i kishte autorizuar, pasi ai dhe kreu i Bashkisë së Shkodrës, në një seri deklaratash i kishin garantuar se do legalizoheshin dhe do marrin lejet e legalizimit. Pasi u kishte kërkuar që të ftojnë njerëzit e tyre në emigracion të vijnë dhe të investojnë në Theth, Edi Rama u soll ndaj Thethit si një shkatërrimtar. E thashë edhe njëherë, shfrytëzoi pabesinë, mashtrimin dhe ka dëmtuar më shumë se çdo pushtues tjetër atë zonë. Armik i shpallur i veriut. Në 12 vite të qeverisjes së tij, në qarqet e veriut po të heqim Rrugën e Arbrit, e përfunduar më shumë se gjysma gjatë qeverisjes sonë, por në fakt investimet janë të barabarta me ato të një rrethi të vetëm të kategorisë së tretë në zonat e tjera të vendit”, shtoi Berisha.
(A2 Televizion)