Kryeministri Edi Rama, në takimin me deputetët e Tiranës, tha se qeveria po punon me Ministrinë e Shëndetësisë “për furnizimin e të gjithë sistemit, publik e privat, me barna”.
“Po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë për barnat mjekësore, për furnizimin e të gjithë sistemit, qoftë atij publik e privat, me barna dhe përsëri me shtetin si palë. Ka ardhur koha që të kalojmë në një rol të ri të shtetit, të qeverisë në ekonomi”, tha Rama, shkruan A2.
“Siguria ushqimore, edhe këtu na duhet të hedhim hapa përpara. Është pika më e dobët në negociatat për anëtarësim. Me pezullimin e veprimtarisë së AKU dhe fillimin e një procesi provimi të të gjithë inspektorëve me gojë dhe shkrim dhe hapjen e mundësisë të të tjerëve që të përfshihen në agjenci, kemi hedhur vetëm hapin e parë. Nga sot, ka filluar procesi i kontrollit të konfiskimit të qumështit dhe bulmetit pa faturë. Domethënë, pasiguri ushqimore. Qumështi dhe bulmeti i freskët pa faturë, mishi i freskët pa faturë do sekuestrohet. Ky është vetëm fillimi i një kontrolli të rreptë për sigurinë ushqimore. Në tërësi, besoj se do jetë një punë që nuk do jetë aq e vështirë sa disa vite më parë, sepse baza është e vendosur. 99 për qind e qytetarëve nuk ndërtojnë pa leje, ata që ndërtojnë nuk janë populli, as të shkretë, por shkelës të vetëdijshëm të ligjit. Kjo epokë duhet të konsiderohet e mbyllur”, tha Rama.
(A2 Televizion)