Zgjedhjet parlamentare të 11 majit nuk garantuan një garë plotësisht të barabartë dhe të ndershme mes forcave politike. Ky është konkluzioni i raportit përfundimtar të Komitetit Shqiptar të Helsinkit ku evidentohen shkelje ligjit zgjedhor, përdorim i aseteve publike në fushatë deri te përfshirja e administratës publike ne zgjedhje. Raporti nis duke evidentuar si shkelje interpretimet që iu bënë Kodit Zgjedhor, duke lejuar miratimin e akteve që krijuan kushte të pabarabarta që nga ndihmat sociale te bonusi i pensionistëve.
“KSHH vëren se institucionet publike kanë përdorur artifica ligjore për t’iu shmangur fushës së veprimit të kufizimeve të vendosura në dispozitat e Kodit Zgjedhor për shpërdorimin e aseteve publike. Në disa raste, interpretimi i KQZ-së lidhur me këto kufizime është i një natyre të ngushtë që shkon përkundrejt frymës së ligjit zgjedhor për një garë të barabartë e të ndershme midis partive politike”, thotë raporti.
Një tjetër shqetësim lidhet me përfshirjen e punonjësve të administratës publike në fushatat elektorale, një praktikë që, sipas KSHH-së, cenon lirinë e zgjedhësve, shkruan A2 CNN.
“Shqetësues është angazhimi i nëpunësve të administratës publike në nivel qendror dhe vendor, në mbështetje të kandidatëve dhe subjekteve zgjedhore, të organizuar sipas lagjeve apo njësive të caktuara. Për shkak të marrëdhënieve të tyre të varësisë, funksionit dhe detyrës që ata kryejnë, ekziston rreziku që në shpërdorim të saj, të krijohet një klimë nxitëse ose intimiduese ndaj zgjedhësve që preken drejtpërsëdrejti apo tërthorazi nga detyra dhe funksioni i tyre”.
Edhe procesi i numërimit të votave hynë në problematikat e konstatuara ku sipas raportit, procesi i rinumërimit në katër qarqet, Tiranë, Durrës, Fier e Elbasan nxori zbuluar abuzimet e komisionerëve partiak.
“Procesi i numërimit të votave, megjithëse kryesisht transparent dhe me pjesëmarrjen aktive të vëzhguesve, u ndesh me prezencën e personave të paautorizuar në vendnumërime dhe përpjekjet për të ushtruar ndikim mbi numëruesit. KShH vëren se u cenua besueshmëria e publikut tek puna e komisionerëve që lexuan fletët e votimit pas ri-numërimit, edhe pse nuk pati ndryshime në rezultat”.
Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, këto problematika kërkojnë adresim në ligjin zgjedhor dhe rritje të përgjegjshmërisë së institucioneve për të siguruar një proces zgjedhor që garanton standarde demokratike të pakontestueshme. (A2 Televizion)