Më 22 tetor, Britania e Madhe do të organizojë Procesin e Berlinit, ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët evropianë do të diskutojnë për bashkëpunimin rajonal, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik.
Qeveria britanike ka publikuar edhe prioritetet e saj në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor, që lidhen me adresimin e kërcënimeve të sigurisë dhe luftën ndaj faktorëve që nxisin paqëndrueshmërinë. Një tjetër çështje ka të bëjë me emigracionin e paligjshëm, ku Britania nuk e ka fshehur se e sheh Ballkanin si një mundësi për të zhvendosur emigrantët e saj, shkruan A2 CNN.
Deri më tani, nga Tirana zyrtare nuk ka ardhur një përgjigje pozitive, por kjo temë do të diskutohet në nivel ministror dhe drejtuesish shtetesh. Pjesë e Procesit të Berlinit është edhe tregu i përbashkët unik dhe reformat që duhet të përmbushin shtetet e rajonit për të marrë mbështetje financiare nga BE.
Para takimit të 22 tetorit, do të ketë një takim të ministrave të Jashtëm më 8 tetor në Belfast dhe më pas të ministrave të Brendshëm, me fokus luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe bandave të trafikut të qenieve njerëzore. (A2 Televizion)