Reforma territoriale, Balla: Shpresoj ta miratojmë bashkë me reformën zgjedhore

Nga A2 CNN
8 Shtator 2026, 13:08 | Politikë

Një nga çështjet më të rëndësishme për të cilat sesioni i ri parlamentar pritet të karakterizohet nga debati mes pozitës dhe opozitës është reforma e re territoriale. Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se nuk do të ketë tërheqje nga ideja e shkrirjes së 15 bashkive.

“Procesi i konsultimit vendor përfshin që, përpara se Komisioni i Ligjeve dhe më pas seanca plenare të shprehet, ka një afat që këshillat bashkiakë, në konsultim me komunitetet, dhe ky është dhe gjithë ai procesi përfundimtar i konsultimit, të përfundojë 60 ditë nga dita e marrjes së njoftimit të projektligjit, i cili besoj mbaron diku nga data 27 shtator. Kështu që do të kemi komunikim së bashku prapë në 28 shtator”, tha Balla në një komunikim me gazetarët, përcjell A2 CNN.

“Qytetarët kanë mandatuar Kuvendin për të marrë vendime dhe, në rastin në fjalë, sot ka një shumicë në Kuvendin e Shqipërisë, por në respekt të një kompetence ekskluzive të deleguar këshillave. Unë ju thashë që do të presim afatin 60-ditor dhe këtu do të jem përsëri para jush për t'ju thënë. Në vlerësimin tim, Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka bërë një punë të shkëlqyer. Ka qenë një proces model për t'u ndjekur gjithmonë në proceset e reformave të rëndësishme. Kështu që, themeli i punës së këtij sesioni të ri për këtë shumicë parlamentare është natyrshëm miratimi i reformës administrative-territoriale dhe, po ashtu, edhe miratimi i një reforme zgjedhore, e cila të adresojë plotësisht të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për të garantuar në kohë marrjen e masave për zgjedhjet e pranverës së ardhshme, zgjedhjet vendore në rastin në fjalë”, shtoi Balla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos