“Siguria ushqimore në pikën më të ulët” Tabaku reagon pas bllokimit të pjeshkëve në Kroaci

Nga A2 CNN
5 Shtator 2025, 16:06 | Politikë

“Siguria ushqimore në pikën më të ulët”

Rasti i bllokimit të pjeshkëve shqiptare në kufirin me Kroacinë për shkak të nivelit të lartë të kimikateve, ka sjellë edhe reagimin e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se ky është rasti i radhës pas mandarinave, domateve dhe specave që janë ndaluar më herët në vendet e BE-së si rezultat i sistemit europian të kontrollit ushqimor. Sipas saj, kjo tregon se sistemi i ngritur nga qeveria nuk funksionon dhe lë qytetarët pa asnjë garanci për produktet që konsumojnë.

“Ne nuk e dimë se çfarë produktesh konsumojmë ne dhe fëmijët tanë, çfarë produktesh vendosen në tryezat tona. Sepse sistemi që kemi ndërtuar në bujqësi nuk mbështet fermerin, nuk garanton kontrollin e kimikateve që përdoren dhe nuk siguron cilësinë e produkteve që dalin në treg. Ndërkohë që shteti merret me rigonin që mblidhet në male dhe sheh nëse shitet me fatura apo pa fatura, maunet me produkte të pasigurta kalojnë lirshëm në tregje. Ky është sistemi që është ngritur”, theksoi Tabaku.

Ajo nënvizoi se Shqipëria sot ka nevojë për gjëra normale si siguria ushqimore, furnizimi i pandërprerë me ujë, shkolla të sigurta dhe rrugë të mira. “Gjithë të tjerat janë ëndrra në beze,” përfundoi Tabaku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos