Parlamenti nisi punën pas zgjedhjeve të 11 majit, me një opozitë që, përveç halleve të vjetra, iu shtua edhe humbja e katërt radhazi. Edhe pse në konferencën e kryetarëve socialistët nuk treguan bonsens, demokratët tentuan që nga foltorja e Parlamentit të denonconin vjedhjen e votës së qytetarëve.
“28 deputetë nga mazhoranca, në listë të hapur dhe të mbyllur, kanë ardhur në parlament nga grupet kriminale. Më mirë të vinte këtu Troplini, Suel, Bajri”, tha Berisha. Këto akuza disa nga ministrat i kaluan me sportivitet e të buzëqeshur, si në rastin e Blendi Gonxhes.
Të njëjtën qasje kishte edhe kryetarja e Kuvendit, e cila pas fushatës zgjedhore me PS, ku humbi Kavajën dhe Kamzën, nuk arriti të përmbante nervat ndaj kryetarit të PD, Sali Berisha. Duke përdorur një retorikë që shkon përtej pozicionit mbi palët që duhet të mbajë, ajo nuk tentoi as ta kamuflonte arrogancën e karriges.
Spiropali: Koha mbaroi!
Berisha: Cila kohë?
Spiropali: Koha juaj ka mbaruar, ka perënduar. Ti nuk mund të vish këtu pas humbjes tënde dëshpëruese dhe turpëruese dhe të tentosh ta prishësh Kuvendin e Shqipërisë. Jo, nuk mund të flasësh siç e ke mbyllur përgjithmonë dhe me turp.
Insistimi i demokratëve për të folur për pretendimet e tyre mbi zgjedhjet parlamentare ishte i kotë, pasi Spiropali dhe socialistët janë të vendosur që të mos lënë asnjë shteg për debat me ta.
Edhe pse në seancë PS nuk e fshehu epërsinë e fitores së 11 majit, pasi u largua kryeparlamentarja Spiropali, socialistët dhe demokratët nuk u penguan që të shtrëngonin duart me njëri-tjetrin, si në rastin e Tritan Shehut me Pandeli Majkon, apo një përqafim mes Antoneta Dhimës dhe Jorida Tabakut. (A2 Televizion)