Gazetari Enver Robelli vuri në dukje se ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, Eric Wendt, e ka përmendur krimin e organizuar në çdo takim të tijin deri tani.
“Për Shqipërinë mund të jetë paralajmërim ndoshta edhe ofendues që ai në çdo takim ku shkoi deri më tani, e përmendi krimin e organizuar. Mund ta perceptojë këtë pushteti si ofendim, por kjo është pjesë e problemit. Dhe në një shtet ku gjithçka ose pjesa më e madhe e punëve funksionojnë ose shkojnë mirë, ambasadori amerikan nuk vjen dhe nuk e përmend menjëherë, pas mbrojtjes, çështjen e krimit të organizuar, kartelet e drogës, pastrimin e parave…”, tha Robelli në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
“Edhe ky është një sinjal shumë i qartë. Unë shpresoj që ambasadori ta ndjekë këtë kurs, të qëndrojë në këtë kurs dhe të mos kthehet në një sistem transaksional, siç e praktikon administrata aktuale në Uashington”, shtoi Enver Robelli. (A2 Televizion)