Shqipëria po pret sërish një aktivitet rajonal dhe ndërkombëtar të rëndësishëm: Samitin mbi Planin e Rritjes, me titull “Rruga jonë drejt BE-së”, i cili mbledh së bashku liderët e Ballkanit Perëndimor, Komisioneren e Zgjerimit të BE-së, Marta Kos, përfaqësues të lartë të Komisionit Europian, si dhe përfaqësues të organizatave rajonale.
Samiti do të fokusohet te Plani i Rritjes, integrimi ekonomik dhe transformimi i rajonit drejt integrimit në Tregun Unik Europian. Plani synon krijimin e një mjedisi të favorshëm për inovacionin, sipërmarrjen dhe përparimin teknologjik, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje konkurruese, themele për zhvillim afatgjatë dhe përafrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
Kryeministri Edi Rama do të presë liderët rajonalë nga Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, së bashku me Komisioneren për Zgjerim të BE-së Marta Kos, në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Samiti do të përfshijë dy panele diskutimi:
1. “Hartimi i nismave të reja me përfitime për qytetarët dhe bizneset”
2. “Përmbushja e angazhimeve të përbashkëta – Rezultatet dhe përshpejtimi”
Gjatë këtyre sesioneve do të prezantohet Plani Rrugor i Ballkanit Perëndimor. Diskutimet do të mbulojnë pozicionimin e rajonit brenda ekosistemit europian të inteligjencës artificiale, “korridoret e gjelbra”, bashkëpunimin në sektorin e turizmit, përparimin drejt tregut të përbashkët rajonal dhe hapat e ardhshëm përpara.
Në hapje të samitit, Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja e BE-së Marta Kos do të mbajnë fjalët përshëndetëse. Në përmbyllje të samitit, ata do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Ballkani Perëndimor përfaqëson një rajon të pasur me trashëgimi kulturore, me një pozicion të rëndësishëm gjeostrategjik dhe me potencial të madh ekonomik e njerëzor. Rruga drejt anëtarësimit në BE mbetet fokusi kryesor politik dhe zhvillimor për këto vende. Forcimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Tregun Unik Europian ka një fuqi të thellë transformuese. Ky treg i përbashkët nxit inovacionin, sipërmarrjen dhe përparimin teknologjik, duke krijuar perspektiva të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje konkurruese. Në këtë mënyrë, ai është një shtyllë kyçe për zhvillim afatgjatë dhe për përafrimin gradual të rajonit me standardet dhe dinamizmin ekonomik të Bashkimit Europian. (A2 Televizion)
