
Zhvillohet sot në Tiranë samiti i “Growth Plan – Our Pathway to the EU” (Plani i Rritjes, rruga jonë në BE), ku liderët e rajonit do të mblidhen në Pallatin e Brigadave, prej orës 09:30 për të diskutuar mbi planin e rritjes, integrimin ekonomik dhe hapat e transformimit drejt Tregut të Përbashkët Europian. Në këtë samit merr pjesë edhe komisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, e cila mbërriti një ditë më parë në Tiranë, ku zhvilloi takim dhe darkë pune me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit e ka quajtur këtë një ditë mikpritjeje, teksa ka uruar ndjekësit në Facebook.
“Mirëmëngjes dhe me një tjetër ditë mikpritjeje, si samiti i Growth Plan “Our Pathway to the EU”, tryeza mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ju uroj një ditë të mbarë!”, shkruan Rama.
A2 CNN raporton se pritja zyrtare e liderëve do të bëhet në 09:30, ndërsa samiti nis punimet në orën 10:00 me fjalët hapëse të kryeministrit Rama dhe komisioneres Kos. Rreth orës 11:35 do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp.
Punimet e samitit janë ndarë në dy panele kryesore: “Formimi i nismave të reja, me përfitime për qytetarët dhe biznesin” dhe “Përmbushja e angazhimeve të përbashkëta – Rezultatet dhe përshpejtimi”. Gjatë diskutimeve do të prezantohet Udhërrëfyesi për Ballkanin Perëndimor, si dhe do të trajtohen tema si pozicionimi i rajonit në ekosistemin e inteligjencës artificiale së BE-së, zhvillimi i korridoreve të gjelbra, rritja e bashkëpunimit në turizëm dhe progresi drejt tregut të përbashkët rajonal.
Samiti vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, ku pak ditë më parë hapi edhe grupkapitullin e fundit të negociatave me Bashkimin Europian. Qeveria shqiptare ka shprehur synimin për anëtarësim deri në vitin 2030, një objektiv që konsiderohet i arritshëm duke parë ritmin aktual të procesit të integrimit. (A2 Televizion)
