Endri Shabani, nga Nisma Thurje dhe pjesë e koalicionit “Shqipëria Bëhet”, ka reaguar pas debatit të ngritur mbi vlefshmërinë e dorëheqjeve të kandidatëve në listën e mbyllur, pas deklaratës së një dite më parë të kandidatit Zeqir Kordhoni.
I ftuar në Ditarin e Mesditës në A2 CNN me gazetaren Loneta Progri, Shabani theksoi se nuk ekziston asnjë mundësi për manipulim të firmave apo dokumentacionit. “Unë jam jurist dhe ekspertiza nuk bëhet vetëm tek firma, por tek shkrimi. Nuk ka asnjë mundësi që të jetë manipuluar. Të gjithë ata që kanë hyrë në listë të mbyllur kanë hyrë me zotim për të dhënë dorëheqjen. Kjo është thënë publikisht dhe është lehtësisht e verifikueshme në çdo kohë,” deklaroi Shabani.
Ai i cilësoi si pjesë e një “telenovele” dyshimet e ngritura, duke shtuar se çdokush mund t’i nënshtrohet një akt-ekspertimi për të provuar vërtetësinë e firmës apo shkrimit. “Ulu dhe shkruaj emrin tënd, dhe sheh vetë si i bën gërmat dhe numrat,” u shpreh ai.
Në lidhje me pretendimet e disa aktivistëve të zhgënjyer nga deklaratat e Adriatik Lapajt, Shabani tha se e kupton reagimin e tyre, por theksoi se nuk ka asnjë pretendim për mandat. “Unë duhet të isha i pari i mërzitur, jo ata. Ne nuk kemi asnjë pretendim për të marrë mandatin, as Kordhoni nuk do ta marrë,” u shpreh Shabani.
Reagimi i tij vjen pas lajmit se Zeqir Kordhoni, kandidat i Nismës Thurje, ka kërkuar në KQZ verifikimin e letrës së dorëheqjes, duke deklaruar se nuk mban mend të ketë firmosur një dokument të tillë. (A2 Televizion)