“Shqipëria do të ketë një Kod Penal kur të ezaurohen të gjitha fazat e konsultimit të brendshëm dhe të ketë marrë vulën në Bruksel”. Kështu u shpreh ministri i Drejtësisë Ulsi Manja në një deklaratë për gazetarët pas tryezës së parë të konsultimit të Kodit Penal.
“Do të diskutohet, mund të mos arrihen qëndrime për nene të caktuara, por çdo nen do i nënshtrohet konsultimit e debatit publik”.
Ministri theksoi se për Kodin e ri penal do të ketë 25 tryeza konsultimi publik.
“Unë nuk di praktika në botë drafte e kode të rëndësishme si kodi penal të shkruhen nga grupe interesi të caktuara, por duhen konsultuar prandaj ishim sot këtu dhe do bëjmë 25 tryeza të konsultimit publik. Drafti është hartuar nga ky grup pune që e kryesor kreu i magjistraturës dhe tani i takon konsultimit publik për ta pasuruar këtë draft”.
I pyetur nga gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi për dekriminalizimin e shpifjes ministri Manja u përgjigj: “Brenda muajit tetor do kemi një tryezë të veçantë për disa ndryshime në kodin penal ekzistues, janë 6 direktiva që kemi marrë angazhim, ku përfshihet edhe dekriminalizimi i shpifjes. Jemi në diskutime me Brukselin sa i takon dekriminalizimit të shpifjes do të kemi një vendimmarrje shumë shpejt për këtë”.
(A2 Televizion)