Në një intervistë për emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu në A2 CNN, avokati Arbër Hoxhaj ka sqaruar procedurat ligjore që parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për shkarkimin e një Presidenti, duke iu referuar kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin e Bajram Begajt dhe ankimimit të dekretit të tij për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës nga Erion Veliaj.
Sipas Hoxhajt, nisma e opozitës, edhe pse e pamundur për t’u realizuar pa votat e shumicës, është ligjërisht e drejtë dhe politikisht e justifikuar. “Opozita ka detyrimin moral dhe politik për të treguar mënyrën se si një president bën shkelje të rëndë të Kushtetutës. Opozita ka rastin më të mirë për ta demaskuar këtë lloj sjelljeje, dhe më pas është detyra e zotit Veliaj dhe e mbrojtësve të tij, nëse nuk ka ndonjë “Nesti Angoni” për Presidentin e Republikës, të bëjë ndonjë kallëzim pranë Prokurorisë së Posaçme”, tha Hoxha.
Avokati shpjegoi se në një skenar ekstrem, nëse Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të nisë hetime ndaj Presidentit, mund të kërkohet edhe masa e sigurimit, njësoj si për çdo zyrtar tjetër të lartë.
“Në momentin që Presidenti merret në përgjegjësi penale, a duhet të caktohet edhe një masë sigurimi ndaj tij? Nëse një masë e tillë caktohet për kryetarin e Bashkisë, mund të caktohet edhe për Presidentin, për të mos bërë shkelje të tjera kushtetuese. Pastaj është detyra e Gjykatës së Posaçme që ta vendosë këtë president para përgjegjësisë penale”.
Avokati theksoi se opozita është “në të drejtën e saj ligjore” për të kërkuar hetim dhe shkarkim, ndërsa vuri në dukje rëndësinë e votimit të fshehtë në Kuvend.
“Votimi duhet të jetë i fshehtë, ashtu siç duhet të ishte i fshehtë edhe në Këshillin Bashkiak. Nëse ndodh kjo, mund të ketë edhe deputetë të përgjegjshëm brenda Partisë Socialiste që mund të dalin nga llogorja e kryetarit dhe vendosin për shkarkimin e Presidentit. Nuk po them që ka gjasa të ndodhë, por besoj që mund të ketë disa elementë surprizë”.
Ai vlerësoi gjithashtu veprimin e Gazment Bardhit, kreut të grupit parlamentar të PD-së, duke thënë se është në të drejtën e tij legjitime. “Në një shtet të së drejtës, siç parashikon neni 4 i Kushtetutës, nëse një zyrtar, përfshirë edhe Presidentin, shpërdoron detyrën, ai duhet të merret në përgjegjësi penale. Këtë garanci nuk e jep Presidenti Begaj, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë që ai ka shkelur”.
Hoxha shtoi se në 30 vite pluralizëm, pavarësisht se preisdnetët dilnin nga radhët e partive, ishin garant të Kushteutës. “Kujtojmë profesor Mejdanin, që doli nga Partia Socialiste, por ishte garant i Kushtetutës. Kujtojmë zotin Topi, që vinte nga Partia Demokratike, por ishte garant i Kushtetutës. Njerëz që dinin të ngriheshin mbi partinë. Ndërsa është e çuditshme që zoti Begaj, i cili nuk ka qenë kurrë pjesë e PS-së, nuk arrin të sillet si kreu i shtetit. Dhe ç’është më e forta, ai jo vetëm që e ka shkelur Kushtetutën, por nuk e pranon shkeljen dhe nuk pendohet. Pendesa njihet edhe në Kodin Penal. Ai mund të kishte pranuar një gabim, por nuk e bën këtë. Prokuroria e Posaçme duhet të veprojë vetë, edhe pa kallëzimin e zotit Veliaj”. (A2 Televizion)