
Me moton “Ne jemi aty ku të tjerët nuk janë, sigurojmë informacione që të tjerët nuk i kanë”, Vlora Hyseni drejton Shërbimin Informativ prej tre vitesh. Por, për herë të parë në historinë e Shqipërisë pas vitit 1991, kreu i SHISH akuzohet nga drejtësia se ka keqpërdorur sekretet shtetërore, duke i shpërndarë për grupe kriminale.
Po si u bë drejtuesja e SHISH, 42-vjeçarja nga Kosova?
Para se të merrte detyrën në Shqipëri, Hyseni ka punuar në inteligjencën e Kosovës, karrierë e nisur që në vitin 2010. Në vitin 2019 u emërua si numri dy i kësaj agjencie, ndërsa një vit më pas shërbeu si ushtruese e detyrës së Drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, detyrë të cilën e ushtroi deri në prill të vitit 2021, kohë në të cilën u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e asaj kohe, Vjosa Osmani.
Karriera e ndërprerë në Prishtinë e vijoi në Tiranë, ku Edi Rama e mori në kabinetin e tij qeveritar si këshilltare e Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare, për dy vite.
Deri këtu, nuk kishte rënë pre e politikës në kryeqytetin shqiptar, por emri i saj u përfol kur Rama vendosi që, më 17 mars, ta propozonte si drejtuese të Shërbimit Informativ të Shqipërisë, me argumentin se integriteti që ajo gëzonte në komunitetin ndërkombëtar ishte një garanci për këtë institucion të sigurisë kombëtare.
Ndryshe nga optimizmi i Ramës, opozita ishte skeptike, duke i kërkuar Presidentit Begaj që të mos e dekretonte pa marrë informacione në Kosovë se përse ishte shkarkuar nga Albin Kurti.
Por këto zëra nuk shkuan në veshin e Presidentit Bajram Begaj, i cili e dekretoi Vlorën Hyseni si drejtuese të SHISH më 3 prill 2023.
As sot, pas më shumë se tre vitesh, kreu i shtetit, me zyra në Pallatin e Brigadave, duket se nuk ka dëgjuar ende asgjë nga “zhurma” e drejtësisë, duke mos u shqetësuar për cenimin e sigurisë kombëtare. (A2 Televizion)