Kuvendi kombëtar i Partisë Demokratike, forumi më i lartë vendimmarrës do të nisë punimet e tij në orën 10:00 ku pritet të miratohen ndryshime në statut dhe të zgjidhen anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. Arisa Bajaziti, e cila është një prej anëtarëve të Partisë Demokratike nga radhë e diasporës, e cila do të mbajë fjalën e hapëse. Më pas do të konstituohet sekretariati teknik, i cili do të merret me të gjithë punimet e Kuvendit.
Sipas traditës do të kemi një fjalë nga zoti Berisha, si edhe do të lexohet një rezolutë nga zëdhënësja e Partisë Demokratike Floriana Garo, e cila është miratuar nga Këshilli Kombëtar që nuk njeh zgjedhjet e 11 të majit
Në aktivitet pritet të marrin pjesë edhe të ftuar ndërkombëtarë, të cilët do t’u drejtohen delegatëve me mesazhe dhe video-përshëndetje.
Kuvendi i këtij viti ka në qendër konceptin e “Ripërtëritjes”, një mesazh që lidhet me procesin e reformimit dhe modernizimit të partisë. Sipas agjendës, Gazment Bardhi do të prezantojë ndryshimet statutore të miratuara më herët nga Kryesia e PD-së.
Gjatë punimeve do të prezantohen gjithashtu dy platforma të reja. Njëra lidhet me procesin e digjitalizimit të partisë, ndërsa tjetra synon angazhimin dhe përfshirjen më të madhe të diasporës në aktivitetin politik të demokratëve.
Në përfundim, delegatët do të votojnë për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar, duke zgjedhur mes kandidatëve të propozuar nga kryetari, kryesia, degët e partisë dhe anëtarët më të votuar të Këshillit Kombëtar.
I pyetur pse u mbajt e fshehtë lista e kandidatëve ëpr këshillin kombëtar të PD-së, gazetari i a2 CNN, Anesti Bajramemaj tha: “Sipas statutit të Partisë Demokratike, kryesia e Partisë Demokratike do duhej të mblidhej pesë ditë para Kuvendit Kombëtar. Po kaq ditë do duhej të publikohej edhe lista e plotë ku duhet të jenë më shumë se 300 kandidatë që duhet të zgjidhen për Këshillin Kombëtar. Por Partia Demokratike nuk ka zgjedhur të respektojë statutin edhe këtë herë, ku sipas tyre nuk po publikojnë listën për shkak të lobimeve të ndryshme që mund të bëhen. Sipas tyre lista u është dërguar degëve apo delegatëve, por nuk është bërë publike për median që të mos të ketë më shumë lobime dhe të mos ketë problematika mes anëtarëve të ndryshëm të cilët do të zgjedhin ditën e sotme”.
(A2 Televizion)